OSHEE reagon: Opozita bën politikë duke na sulmuar

Pas akuzave të ngritura nga Partia Demokratike lidhur me atë që e kanë cilësuar si favorizim të oligarkëve në faturimin e energjisë elektrike, ka reaguar Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Nëpërmjet një deklarate të shpërndarë për mediat OSHEE ka shprehur keqardhje për opozitën e cila sipas tyre bën politikë duke sulmuar OSHEE-në. Lidhur me rastin e kryekomunarit te Otllakut, të bërë publik nga Partia Demokratike, OSHEE shprehet se rasti është krejt ndryshe nga çfarë opozita akuzon. “Keqardhje që opozita jo vetëm nuk ndjen asnjë përgjegjësi për braktisjen shkatërruese që i bëri kompanisë dhe për borxhin e rëndë që i la në kurriz, por në të kundërt, vetëm sulmon a thua se dëshiron jo suksesin po falimentimin e kësaj ndërmarrjeje strategjike për Shqipërinë. Sidoqoftë, operacioni i shpallur nga qeveria dhe i realizuar nga kompania në terrenin e vështirë që kemi trashëguar nuk do të ndalet, përkundrazi do të thellohet” theksohet në deklaratën për shtyp. Me mirënjohje ndaj qeverisë për mbështetjen, OSHEE deklaron vendosmëri të plotë për verifikimin e plotë të shlyerjes së detyrimeve nga punonjësit e administratës publike.

Advertisement