Sipas Bares heshtja, lulet dhe qirinjtë, do të jenë mjetet e demonstrimit në kujtimim të tre viktimave. “Gjithkush është i lutur që të respektojë kujtimin e të vrarëve nga dora e regjimit të kusarisë dhe matrapazllëkut. Asnjë parrullë, asnjë thirrje, asnjë devijim nga kortezhi nuk duhet të ndodhë” theksoi Bare. Ai gjithashtu i bëri thirrje qytetarëve që të ruhen nga provokimet dhe provokatorët dhe të mos shkojnë pas askujt që mund të dalë jashtë kornizës së kortezhit apo të bëjnë gjë tjetër veç ecjes së heshtur. “ I bëjmë po ashtu thirrje policisë të bëjë detyrën konform ligjit dhe ne do të jemi aty për të garantuar gjithçka.Nesër bota duhet të shohë rezistencën tonë paqësore dhe të dëgjojë dhimbjen e popullit shqiptar që me dinjitet dhe papërkulshmëri kërkon lirinë dhe drejtësinë e merituar” theksoi më tej Bare.