Lajmin e bëri të ditur vetë lideri i opozitës Edi Rama, gjatë mbledhjes së përjavshme të grupit kuvendor të Partisë Socialiste. Gjatë fjalës së tij tejet të shkurtër për mediat, Kryetari i Partisë Socialiste deklaroi se deputetët e majtë në Kuvend do të votojnë kundër dekretit të Presidentit, që propozoi më 17 Nëntor Bujar Leskajn, si Kryetar të ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit. “Rikonfirmoj votën tonë kundër kandidaturës për Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, deklaroi kryesocialisti Rama para deputetëve socialistë. Kandidatura e Bujar Leskaj gjeti pëlqimin nga Partia Demokratike, ndërsa dekreti i mëparshëm me emrin e Sali Shehut në këtë post, u rrëzua nën pretendimin se ai nuk përmbushte kriteret kualitative për drejtimin e KLSH-së.


