Opozitarët kanë zhvilluar një ceremoni solemne pranë përmendores “Nënë Shqipëri” në Varrezat e Dëshmorëve. Kryesocialisti Rama ka vendosur kurora me lule në memorialin “Nënë Shqipëri”, ndërsa ka takuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë ceremoni, e përfaqësues të aleatëve të PS-së të mbledhur në Opozitën e Bashkuar. Kreu opozitar Rama në deklaratën e tij të shkurtër për mediat, e cilësoi Ditën e Çlirimit si ditën e pandryshueshme dhe të patjetërsueshme të triumfit ndaj të keqes. Lideri i opozitës deklaroi se 29 Nëntorin nuk mund ta fshijë askush nga kujtesa dhe as nga librat e historisë. “Gëzuar Ditën e Çlirimit të vendit, 29 Nëntorin, ditën e pandryshueshme dhe të patjetërsueshme të triumfit ndaj të keqes. Kjo ditë u kujton shqiptarëve se në ditët më të këqija të historisë veteranët e luftës u drejtuan në anën e duhur të historisë. Ditën që askush nuk mund ta fshijë as nga kujtesa as nga librat e Historisë”, uroi kryesocialisti Rama. Ai nënvizoi se 29 Nëntori bën qesharak këdo që tenton ta harrojë apo ta fshijë si ditë të shënuar nga kalendari historik i vendit.