Deputetja Vasilika Hysi nga ana e saj u shpreh se votimi i dyfishtë tregon dhunimin e votës së deputetëve dhe përmes kësaj, mazhoranca ka manipuluar votat e deputetëve duke e miratuar dy herë dekretin e presidentit. “Votimi i dyfishtë tregon se ju keni guximin të manipuloni, jo vetëm fletët e votimi por të dhunoni edhe votën e deputetëve të mazhorancës”, theksoi Hysi. Ndërsa pas saj, deputeti socialist, Saimir Tahiri, akuzoi se mazhoranca ka krijuar një korrupsion parlamentar me trafik dhe blerje deputetësh. Duke folur në seancën e sotme plenare deputeti Tahiri akuzoi gjithashtu mazhorancën se po korrupton dhe trafikon votat e deputetëve të saj për të zgjidhur hallin e saj me presidentin dhe për të shtuar më tej edhe hallet e shqiptarëve.


