Ishte kjo arsyeja që edhe operacioni i koduar policor për këtë çështje u quajt “Urith”. Kreu i Policisë së kryeqytetit Tonin Vocaj tha në një konferencë për shtyp se në sajë të posedimit të informacioneve nga specialistët e Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe me Armë, u arrit parandalimi i një tentativë vjedhjeve të një banke në Tiranë, ku pas një pune të mirëorganizuar u finalizua me sukses operacioni i koduar, “Urithi”. Pas hetimit intesiv janë arrestuar në flagrancë 50 vjeçari Tahir Ismail Beleku, lindur e banues në Tiranë, me precedentë të mëparshëm penalë si dhe 36 vjeçari Taulant Xhelal Troplini, lindur e banues në Tiranë, i proceduar më parë për veprën penale të vjedhjes me armë. Këta persona, për një periudhë 4 mujore kishin marrë me qera një ambjent, pas filialit të bankës Intesa San Paolo, me synim hapjen e një tuneli, që të çon në ambjentet e brendshme të bankës. Pas hetimit njëmujor të realizuar me metodat speciale të hetimi, u arrit kapja në flagrancë e tyre në bashkëpunim me Forcat e Repartit Renea, gjatë momenteve të kryerjes së punimeve për hapjen e tunelit, i cili ishte i hapur në atë masë dhe kishte kontakt vizual me ambjentet e bankës. Në bashkëpunim me Shërbimin e Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të bankës, u bë e mundur ndjekja e informacionit dhe finalizimi për kapjen e tyre. Në vendin e ngjarjes në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një pako me doreza me synim mos lënien e gjurmëve, kamera me fibra optike, video regjitrues, radio komunikimi në distancë, pajisje oksigjeni për prerjen e metaleve, automjeti tip benz, gërshërë metalprerëse, mjete dhe vegla pune të ndryshme me bateri dhe energji elektrike si dhe mjete prej gome, të cilat autorët i përdornin për hapjen e tunelit pa krijuar zhurmë. Aktualisht, policia po vazhdon hetimin për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë vepër penale, ndërkohë që materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të Tahir Belegut dhe Taulant Troplinit tyre, do t`i kalojnë Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të vjedhjes së bankave.