“Kryetari i Partisë së Bashkisë, në një akt rrugaçërie të pashembullt politike, doli përpara shtypit për të shfaqur gëzimin e tij të pakontrolluar për ngjarjen e ndodhur katër ditë më parë në galerinë jugore të tunelit Thirrë-Kalimash. Është rasti i parë në të gjithë botën demokratike që një drejtues opozite i lejon vetes të ngazëllejë dhe të ngrejë mbi ngazëllimin spekulime të turpshme. Ndaj ngjarjes, qeveria përmes MPPTT ka mbajtur standardet më të larta të transparencës’ tha Olldashi. Olldashi përmendi dhe një deklaratë të bërë prej tij një muaj për parë ku njoftonte se: “Tuneli do të mbyllet me qëllim që t’i jepet mundësi kompanisë ndërtuese të përfundojë instalimin e pajisjeve elektromekanike, të domosdoshme për funksionimin e tij, si dhe për të sistemuar presionin e krijuar nga një shtresë gjeologjike jo e qëndrueshme në një segment të vogël, një situate kjo e paparashikuar, për të cilën kontraktori po punon në vijimësi” duke shtuar se është bërë transparent problemi. “Fenomeni gjeologjik që ndodh në tunelin e Thirrës ishte i paparashikuar dhe fenomene të paparashikuar në brendësi të maleve, në punime të tillë, janë të pritshëm. Një situatë pothuajse identike me tunelin e Thirrës haset në tunelin e linjës së shpejtësisë së lartë Lion – Torino. Ne këtë tunel, punimet për të cilin kanë nisur më 2003, në vendin e quajtur St. Martin La Porte ka pasur konvergjenca të vazhdueshme deri në 2m spostim të masës shkëmbore, por nuk është parë ndonjë drejtues i opozitës franceze të festojë për këtë” tha më tej Olldashi. “Gënjeshtrat e paturpshme të Edi Ramës për gjoja kosto qindramilionëshe janë pa asnjë bazë dhe vijnë vetëm si asociacion i shifrave që kryetari i bashkisë ndërmend për lejet e ndërtimit në kryeqytet. Gjithcka ka thënë z. Edi Rama në konferencën e tij për shtyp nuk është gjë tjetër veçse një defekim oral” përfundoi ministri i Transporteve. Vijon fjala e plotë e Ministrit të MPPTT Sokol Olldashi në konferencën për shtyp: Kryetari i Partisë së Bashkisë, në një akt rrugacërie të pashembullt politike, doli sot përpara shtypit për të shfaqur gëzimin e tij të pakontrolluar për ngjarjen e ndodhur katër ditë më parë në galerinë jugore të tunelit Thirrë-Kalimash. Eshtë rasti i parë në të gjithë botën demokratike që një drejtues opozite i lejon vehtes të ngazëllejë dhe të ngrejë mbi ngazëllimin spekullime të turpshme. Ndaj ngjarjes, qeveria përmes MPPTT ka mbajtur standartet më të larta të transparencës. Në deklaratën që kam bërë përpara jush më 09.10.2009, pra ekzaktësisht një muaj më parë, ju kam njoftuar se: “Tuneli do të mbyllet me qëllim që t’i jepet mundësi kompanisë ndërtuese të përfundojë instalimin e pajisjeve elektromekanike, të domosdoshme për funksionimin e tij, si dhe për të sistemuar presionin e krijuar nga një shtresë gjeologjike jo e qëndrueshme në një segment të vogël, një situate kjo e paparashikuar, për të cilën kontraktori po punon në vijimësi”. Pra, e kemi bërë transparent problemin. Edhe ndaj rrëshqitjes së datës 05 nëntor, kemi mbajtur të njejtin standart transparence. Kemi informuar publikun për cdo zhvillim. Fenomeni gjeologjik që ndodh në tunelin e Thirrës ishte i paparashikuar dhe fenomene të paparashikuar në brendësi të maleve, në punime të tillë, janë të pritshëm. Një situatë pothuajse identike me tunelin e Thirrës haset në tunelin e linjës së shpejtësisë së lartë Lion – Torino. Ne këtë tunel, punimet për të cilin kanë nisur më 2003, në vendin e quajtur St. Martin La Porte ka patur konvergjenca të vazhdueshme deri në 2m spostim të masës shkëmbore, por nuk është parë ndonjë drejtues i opozitës franceze të festojë për këtë. Në tunelin Driskos, në Egnatia Odos, pranë Igumenicës, në Greqi, për mëse 6 vjet përpjekje me masa mbrojtjëse ekstremisht të kushtueshme, është arritur stabilizimi i masës shkëmbore e cila shembej në mënyrë të vazhdueshme gjatë ndërtimit të këtij tuneli që është vetëm 300 m i gjatë. Por, nuk është parë ndonjëherë ndonjë politikan grek të ekzaltohet publikisht. Në tunelin e San Gothardit, mes Italisë dhe Zvicrës, ka patur probleme të ngjashme me konvergjenca, madje edhe kolapse, të cilët janë stabilizuar pas dy vjetësh dhe as këtu nuk është parë kush të shfryjë përpara kamerave gastritet e veta postelektorale sic bën z. Rama I njejti fenomen është hasur në tunelin Cheinborg, në Zvicër, ndërkohë që në tunelin Bolu në Turqi, si rezultat i një lëvizje sizmike tuneli u shemb totalisht. Nuk ka asnjë lidhje mes fenomenit gjeologjik dhe kalendarit të punimeve në rrugë. E ritheksoj se rrëshqitja e dheut ka ndodhur në pjesën e pabetonuar të tunelit jugor, i cili nuk është hapur asnjë ditë të vetme për publikun, pasi vazhdon të jetë në ndërtim. Gënjeshtrat e paturpshme të Edi Ramës për gjoja kosto qindramilionëshe janë pa asnjë bazë dhe vijnë vetëm si asociacion i shifrave që kryetari i bashkisë ndërmend për lejet e ndërtimit në kryeqytet. Gjithcka ka thënë sot z. Edi Rama në konferencën e tij për shtyp nuk është gjë tjetër vecse një defekim oral. Tuneli do të hapet vetëm kur të përfundojnë punimet e sigurisë dhe të elektromekanikës dhe unë do ju ftoj ju që atë ditë t’i kërkoni Edi Ramës që të ripërtypë atë që po nxjerr nga goja sot.