Tiranë | Olldashi: dje pamë përpjekjet për marrjen e pushtetit me dhunë

 Sipas tij pak orë pas ngjarjeve të djeshme, është bërë edhe më e qartë se sulmi i djeshëm mbi institucionet e shtetit është shfaqja, në sytë e të gjithëve e Edi Ramës, si qen i tërbuar, në kërkim të karriges së Kryeministrit. Në vijim ministri Olldashi theksoi se “Është qartësisht e dukshme, në sytë e të gjithëve se ajo që ndodhi dje ishte sulmi i rrugaçërisë dhe i rrugaçëve politikë mbi vlerat e ndërtuara në këtë vend me 20 vjet sakrifica të të gjithëve”. Ministri Olldashi tha se aktet e dhunës që pushtuan dje sheshin para selisë së kryeministrisë, ishin një sulm i krimit politik, i cili sipas Olldashit kërkoi të nëpërkëmbë aspiratat e qytetarëve shqiptarë për një jetë më të mirë, për një të ardhme evropiane. “Ajo që ndodhi dje ishte përpjekje e qartë për marrjen e pushtetit me dhunë, qëllim përpara të cilit janë të gatshëm të vrasin 13 mijë njerëz, të përdorin si mish për top socialistët dhe qytetarët e këtij vendi”, akuzoi Olldashi, duke iu referuar deklaratës së dhënë nga përfaqësuesi i Opozitës së bashkuar, Spartak Ngjela. “Cila është kjo karrige pushteti që vlen sa jetët e 13 mijë socialistëve apo qytetarëve çfarëdo të këtij vendi”, tha më tej Olldashi. Ministri Olldashi nënvizoi se “Ajo që ndodhi dje, ishte shfaqja kriminale e qenit të tërbuar që po kërkon të kafshojë Shqipërinë dhe që po kërcënon qytetarët e saj me skenarin e ‘ 97-ës. Me kontigjente kriminelësh që pas Kryeministrisë u vërsulën nëpër dyqane”, tha Olldashi, duke shprehur mirënjohjen ndaj uniformave blu që mbrojtën institucionet dhe qytetarët e Tiranës. Ai i bëri thirrje organit të akuzës të hetojë sa më parë vrasjen e tre demonstruesve e të nxjerrë përballë drejtësisë përgjegjësit, ata që sipas Olldashit mobilizuan një grup keqbërësish ordinerë, për t’i vënë në shërbim të politikës ordinere. Sipas tij çdo socialist, demokrat, e çdo qytetar i këtij vendi, duhet të kuptojë se përpjekja e djeshme e Edi Ramës, ishte në fakt një tejkalim kriminal kompetencash politike dhe një shpërdorim barbar i të drejtës së gjithsecilit për të protestuar paqësisht në një vend të lirë.

Advertisement