Tiranë – Oketa, marrëveshja për kufirin detar barazohet në parimin e barazlargësisë

Në një prononcim për mediat, Oketa është shprehur me superlativa në mënyrë të veçantë për Kundër-Admiralin Kristaq Gërveni. “Është e gabuar të akuzosh një teknik që ke shitur atdheun. Kjo është një akuzë shumë e rëndë. Unë kam biseduar dhe jam konsultuar në mënyrë të veçantë për këtë çështje me Kundër-Admiral Gërveni, i cili është jo vetëm një nga ekspertët më të zotë, por edhe një nga atdhetarët më të mirë”, deklaroi Oketa. Ai pretendoi se marrëveshja në fjalë nuk cenon sovranitetin territorial të Republikës së Shqipërisë, për shkak se sipas tij, ajo bazohet në parimin e baraslargësisë. “Marrëveshja bazohet mbi një parim të thjeshtë, që është baraslargësia, dhe pikërisht ato rrathë që duken në ato harta tregojnë se në të gjitha pikat e kësaj vije, distanca mes dy vendeve është e barabartë. Nuk më takon mua të hyj në shumë detaje teknike. Por, di të them se është një marrëveshje politikisht e domosdoshme, e cila përcakton njëherë kufirin detar mes dy vendeve, kufi që nuk ka ekzistuar më parë”, u shpreh ish-ministri i Mbrojtjes. Pak ditë më parë edhe ushtarakët shqiptarë dhe disa shoqata në vend i kërkuan kuvendit mosratifikimin e marrëveshjes shqiptaro-greke për delimitimin e kufijve detarë.

Advertisement