Tiranë | Një tjetër ish-i përndjekur i vë flakën vetes

Ngjarja e rëndë ndodhi pranë çadrave, ku prej ditësh po zhvillohet greva e urisë së ish-të përndjekurve politik, kur 47-vjeçari Lirak Bejko ka lyer veten me benzinë dhe i ka vënë flakën. Grevistët e tjerë kanë ndërhyrë menjëherë, duke bërë të mundur shuarjen e flakëve. I dëmtuari është dërguar menjëherë për të marrë ndihmën mjekësore në QSUT. Sikurse është raportuar nga spitali, Bejko ka pësuar djegie në 50% të trupit, por gjendja e tij shëndetësore nuk është në rrezik për jetën. Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh, kur një ish-i burgosur politik në grevë urie tenton të vetëflijohet. Vetëm tre ditë më parë grevisti Gjergj Ndreca është vetëdjegur në shenjë proteste për mos realizimin e kërkesave të ish-të përndjekurve politikë. Grupi i ish-të përndjekurve prej 19 ditësh është ngujuar në grevë urie, duke kërkuar dëmshpërblimin financiar për ditët e burgut gjatë kohës së diktaturës.  

Advertisement