Tiranë | Nisin punimet për Parkun Logjistik të Tiranës

“Në këtë sipërfaqe prej 200 mijë metrash katrorë dhe ndërtimi magazinash prej 80 mijë metrash katrorë, gjatë këtij viti do të punësohen mbi 500 punonjës të profesioneve të ndryshme dhe vitin tjetër do të punësohen dhe 1100 punonjës të tjerë të mirëmbajtjes dhe menaxhimit të parkut logjistik. Por, kapacitetet e punësimit të këtij parku janë 20 herë më të mëdha, çka do të thotë se me instalimin e fabrikave të ndryshme, parku do mund të punësojë deri në 20 mijë gra e burra të Kamzës dhe Tiranës”, u shpreh kryeministri Berisha në fjalën e tij. Ai tha se për realizimin e këtyre qëllimeve qeveria shqiptare miratoi javën që shkoi heqjen tërësisht të TVSH-së për të gjitha makineritë që do të përdoren në këtë park dhe në të gjithë Shqipërinë. Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e krijimit të vendeve të punës dhe të punësimit, si rruga e zhvillimit të sigurtë dhe rruga e prosperitetit të familjeve shqiptare dhe e vendit në tërësi. Qeveria, tha Berisha, “e konsideron jetike e vendimtare mbështetjen e tyre si mburojë për vendin ndaj krizës globale, që do të jetë afatgjatë”. Parku Logjistik i Tiranës, punimet e të cilit nisën sot vetëm 6 kilometra larg qytetit të Tiranës, është më i madhi në Ballkanin Perëndimor. Ndërtimi i këtij Parku Logjistik u nis nga nevoja e biznesit për ambiente magazinimi dhe industriale në një pozicion strategjik të favorshëm për të shërbyer me distribucion shpejt dhe lehtësisht tregjet kryesore të vendit, duke mundësuar njëkohësisht siguri, efiçencë dhe ulje e kostove logjistike. Ky park do të përbëhet nga 5 magazina dhe ambiente industriale, me sipërfaqe totale të brendshme prej 80 mijë m2. Tirana Logjistik Park është i pozicionuar në zonën industriale më të madhe në vend, Autostrada Tiranë-Durrës, vetëm 6 km nga qendra e kryeqytetit, 11 km nga Aeroporti ndërkombëtar i Rinasit dhe 30 km nga Porti i Durrësit”, tha Mane. Ky park, parashikohet të mbulojë 1.2 milionë banorë, në një rreze vetëm 30 km dhe brenda një distance kohore prej 30 minutash.  

Advertisement