Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës së Shqipërisë dhe Gazsjellësi Trans Adriatik AG (TAP) bënë të ditur sot se ata kanë filluar negocimin e një Kontrate Lejeje me Vendin Pritës (HGA), e cila përcakton kërkesat specifike që duhet të ndiqen gjatë zbatimit të projektit. Marrëveshja do të përcaktojë termat dhe kushtet sipas të cilave do të sigurohet zhvillimi, ndërtimi dhe funksionimi i tubacionit nëpërmjet një kuadri ligjërisht të detyrueshëm. Pikat që u diskutuan përfshinin procesin për zbatimin e zinxhirit të vlerës së gazit të TAP, në të cilin përfshihen aktivitetet e para-ndërtimit si dhe kërkesat për ndërtimin dhe funksionimin e gazsjellësit në Shqipëri. Palët janë të angazhuara që të përfundojnë negociatat në përputhje me afatet kohore që përcaktohen nga projekti i Fazës II të Shah Deniz në Azerbajxhan. Nasip Naço, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së Shqipërisë (METE), tha: “Më lejoni të them me kënaqësi, se takimi i ditës së sotme, shënon hyrjen në një stad të ri, të vetë Projektit TAP, në tërësinë e tij, pasi sot çelen Negociatat për Kontratë Lejeje, me një nga Vendet Pritëse, të këtij Projekti dhe jemi të lumtur që Shqipëria është vendi i parë, që i fillon këto Negociata. Ky është një stad i ri zhvillimi pozitiv jo vetëm për Projektin TAP, por dhe një veçanti në marrëdheniet e reja Shqipëri-TAP”. “Realizimi Projektit TAP është i një rëndësie shumë të veçantë, pasi ai jo vetëm që siguron një zhvillim ekonomik, nëpërmjet investimeve që do të kryhen, por dhe sepse ka një rëndësi tepër të lartë politike për Sigurinë e Energjisë, për gjithë Evropën, Rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe kryesisht Shqipërinë, ku kjo e fundit ka treguar performancë të fortë ekonomike, por dhe që është shndërruar në një faktor stabiliteti në rajon”. “Shqipëria ka kryer një sërë aktivitetesh, masash dhe përpjekjesh për të dhëne një kontribut kryesor në realizimin e TAP-it, si : · “Shteti dhe Qeveria Shqiptare, ka kërkuar me ngulm pranë Sekretariatit të Energjisë si dhe pranë Bashkimit Evropian, që projekti TAP të konsiderohet Projekt Prioritar në fushen e furnizimit me gaz të Evropës, duke garantuar sigurinë e Energjisë në këtë kontinent. · Qeveria Shqiptare gjatë gjithë kohës ka shprehur një angazhim konkret politik, të udhëhequr nga Kryeministri, z.Sali Berisha, si dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për të bërë një diplomaci energjetike, dhe një lobing ndërkombëtar për Projektin TAP, ku mund të përmendim, vizitën e suksesshme të Kryeministrit Berisha në Norvegji, si dhe vizitën e Ministrit të Energjisë, në Turqi. etj. · Kemi mbështetur këtë projekt fuqimisht në kuadër të projekteve rajonale, ku mund të përmendim ecurinë e suksesshme të Grupit të Punës, të Gazsjellësve TAP-IAP, që takohen në Shqipëri. · Kemi përshtatur legjislacionin e nevojshëm, dhe krijuar të gjitha lehtësirat për të filluar negociatat teknike me këtë Konsorcium Investitorësh të rëndësishëm në fushën e energjisë. Kjetil Tungland, Drejtori i Përgjithshëm i Gazsjellësit Trans, komentoi: “Ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyer dhe të gjatë me Qeverinë Shqiptare dhe presim të bëjmë progres të mëtejshëm ndërsa projekti ynë përparon më tej. Shqipëria do të luaj një rol të rëndësishëm në hapjen e korridorit jugor të gazit, duke siguruar të ardhmen e energjisë së BE-së përfshirë edhe Evropën Juglindore. “TAP do të japë një kontribut të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, si në aspektin e investimeve dhe në zhvillimin e rrjeteve të infrastrukturës së energjisë dhe furnizimit. Ne mirëpresim ecjen përpara të bisedimeve tona dhe përfundimin e një marrëveshjeje”. Fillimi i negociatave për një Kontratë Lejeje me Vendin Pritës është zhvillimi më i fundit mes një numri zhvillimesh pozitive për TAP në Shqipëri këtë vit: • Në korrik është nënshkruar me Qeverinë një Memorandum Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi për të parë mundësinë e lidhjes së një projekti të madh rajonal të gazit natyror, Gazsjellësi Jonian Adriatik me TAP në një pikë lidhëse në Shqipëri. • Në shtator u paraqitën Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë aplikime për përjashtimin nga Palët e Treta duke i bërë të mundur TAP të hyjë në marrëveshje afat-gjata transportimi apo pagese për Transportin e Gazit me transportuesit e gazit Shah Deniz II. • Këtë verë TAP ka kryer gjithashtu një Vlerësim të hollësishëm të Ndikimit Mjedisor dhe Social në Shqipëri, që përfshiu ndërveprime dhe takime me autoritetet kombëtare dhe rajonale dhe një sërë takimesh me komunitetin në qytetet dhe fshatrat përgjatë gjurmës së tubacionit.