Tiranë | Nishani zhvillon takimin e fundit me stafin e Ministrisë së Brendshme

alt

“Kam qenë i privilegjuar të punoj me të gjithë ju, ka qenë një kohë jo e pakët dhe me një rikthim në këtë institucion. Dhe ne sot kemi të gjithë të drejtën që së bashku, të jemi krenarë për shumë ç’ka jemi përpjekur, ç’ka kemi bërë dhe kemi kontribuar”, tha Nishani. Duke u ndalur në momentet e rëndësishme, si dhe kontributet që institucioni i ministrisë së Brendshme ka dhënë gjatë këtyre viteve, në shumë aspekte të rëndësishme të vendit, Nishani tha se “ato kanë qenë të shumta dhe do të nevojitej një kohë e gjatë për t’i treguar. Por ai veçoi vlerësimet që qytetarët e këtij vendi kanë dhënë përmes vlerësimeve të tyre. “Administrata, stafi, drejtuesit e Ministrisë së Brendshme, për aq sa i ka takuar, në bazë të ligjit dhe detyrimeve, kanë qenë pjesë aktive e infrastrukturës zgjedhore në dy fushatat dhe zgjedhje të rëndësishme të vendit, duke qenë së bashku, ato të 2009 dhe 2011, ku keni qenë ju, me profesionalitetin dhe gadishmërinë tuaj, që të sillni një risi të rëndësishme në infrastrukturën zgjedhore, që nga Regjistri i Gjendjes Civile, i bërë për herë të parë i vlefshëm, në dispozion të qytetarëve, falë kontributit edhe të mjaft specialistëve që punuan me profesionalizëm”. Nishani vlerësoi të rëndësishëm procesin për prodhimin e letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike, si një arritje e madhe për vendin, elementë të drejtëprdrejtë këto, që së bashku me arritjet e Policisë së Shtetit, në luftën kundër krimit të organizuar, ishin ndër faktorët kryesorë që ndikuan në procesin e liberalizimit të vizave, me vendet e zonës “Shengen”. Një vlerësim të veçantë, Nishani dha për stafin e ministrisë së Brendshme dhe bashkëpunëtorët e tyre, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të ndryshme, stafet e prefekturave, që përmes një bashkëpunimi të mirë me strukturat e pushtetit vendor, kanë përballuar situata të vështira në mbrojtje të jetës dhe sigurisë së qytetarëve, të ardhura për shkaqe të rrethanave të motit, në dimër e në verë. “Unë sot personalisht kam një bilanc shumë të madhe për të bërë, në bashkëpunimin që kam patur me ju, me të gjithë punonjësit e ministrisë së Brendshme, Policinë e Shtetit, administratën e prefekturave dhe institucioneve në varësi prej saj. “Reforma të mëdha janë ndërmarrë dhe janë në proces, dhe unë jam sot këtu për t’iu thënë faleminderit dhe duke qenë jam mjaf i privilegjuar, i kandiduar dhe i votuar tashmë nga maxhoranca në Parlement, si një President i zgjedhur, më duhet të adresohem dhe të angazhohem në përgatitjet për marrjen e detyrës së re. Nishani i kërkoi administratës dhe specialistëve të stafit të ministrisë së Brendshme që sikurse kanë bërë deri tani, të vazhdojnë të jenë aktiv në problemet e administrimit, menaxhimit dhe drejtimit në administratën publike, pasi është një kontribut i pazevendësueshëm. “Besojeni që kjo që po ju them, është e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë. Secili prej nesh ka një pozicion të caktuar dhe i nderuar mbetet ai që këtë kontribut, e jep maksimalisht, në formën dhe mënyrën më të drejtë dhe më të mirë të mundshme”, përfundoi përshëndetjen, ish ministri i Brendshëm, dhe Presidenti i sapozgjedhur, Bujar Nishani. Ndërsa numri dy i këtij institucioni, zv.ministri Brendshëm, Ferdinand Poni, në emër të gjithë stafit të ministrisë së Brendshme, vlerësoi se angazhimi dhe përkushtimi i z.Nishani në krye të këtij insticioni, i dhanë vendit një President si z. Nishani, për të gjithë stafin ka një motiv më shumë në angazhimin e përditshëm. Pas takimit, në një prononcim për mediat dhe në përgjigje të interesit të gazetarëve të pranishëm, Presidenti i sapozgjedhor, Bujar Nishani, siguroi se sikurse të gjitha institucioneve në vend, aktorëve të rëndësishëm të jetës politike dhe ekonomike të vendit, edhe opozitës do t’i ofrojë të gjithë angazhimin e tij. Në përgjigje të interesit të medias për ofrimin e një bashkëpunimi nga ana e tij në drejtim të opozitës, Nishani siguroi se kontaktet e tij me Partinë Socialiste, si forca e dytë në Parlament, do të jenë të padiskutueshme. Nishani falenderoi median për mbështetjen që ajo i ka dhënë te gjithë procesit të zgjedhjes së Presidentit dhe jo vetëm, që përmes angazhimit dhe transparencës, ajo i mundësoi publikut të gjithë informacionin për të cilin ata ishin të interesuar. Ndërsa një vlerësim të veçantë ai dha edhe për dy kandidaturat e mëparëshme për Presidentin e vendit, atë të Xhezair Zaganjorit dhe Artan Hoxhës. Lidhur me tërheqjen e tij nga posti i ministrit të Brendshëm, Nishani bëri edhe një herë të ditur se, nga dita e djeshme, pas zyrtarizimit të kandidaturës së tij për President i vendit, ai paraqiti në tryezën e punës së Kryeministrit Berisha dorëheqjen e tij nga posti i ministrit , kërkese e cila do të bazohet në dekretin e Presidenti aktual në detyrë, Bamir Topi, për miratimin nga ana e këtij të fundit të dorëheqjes nga posti i ministrit të Brendshëm.