Tiranë | Nishani: Shpejtësi në hetimet për personat e lidhur me terrorizmin

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani gjatë një takimi me drejtues të disa institucioneve shprehu mbështetje për proceset që lidhen me forcimin e sigurisë kombëtare dhe luftën kundër korrupsionit. Sipas njoftimit për shtyp nga Presidenca, Kreu i shtetit u takua paraditen e sotme me Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës, Adriatik Llalla, kryetarin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi dhe Prokurorin e Krimeve të Rënda, Eugen Beçi. Qëllimi i këtij takimi ishte informimi mbi goditjen dhe parandalimin e veprimtarisë së grupeve radikale për dërgimin e qytetarëve shqiptarë në luftën në Siri. Presidenti Nishani u informua për iniciativat ligjore që po ndërmerren në mënyrë që në të ardhmen ky fenomen të jetë i ekspozuar ligjërisht në ndihmë të Sigurisë Kombëtare të vendit. Duke kërkuar shpejtësi dhe cilësi në hetim dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët, Presidenti i Republikës vlerësoi punën e kryer deri më tani nga organet kompetente ndaj fenomeneve që lidhen me organizimin, financimin dhe dërgimin e shtetasve shqiptarë për të luftuar në Siri. Presidenti Nishani shprehu mbështetjen e plotë për gjithçka që ka lidhje me këtë proces, por edhe me procese të tjera që kanë të bëjnë me forcimin e sigurisë kombëtare dhe luftën ndaj korrupsionit.

Advertisement