Tiranë | Nishani rikthehet në krye të Ministrisë së Brendshme

Pas dorëheqjes së Lulzim Bashës nga ky post, për të garuar për bashkinë e kryeqytetit, kryeministri ka vendosur të rikthejë në këtë post Bujar Nishanin, emri i të cilit do të shkojë për dekretim në presidencë këtë Mërkurë. Pas këtij ndryshimi mbeten për tu emëruar nga kryeministri Berisha edhe posti i ministrit të Drejtësisë, nga i cili largohet Bujar Nishani dhe ai i Kulturës pasi, Ferdinand Xhaferri është futur në garë për Bashkinë e Durrësit. Ende nuk bëhen të ditur emrat që kryeministri do të propozojë për këto poste, veçse emri i Bujar Nishanit pritet të dekretohet nga presidenti Topi. Kështu gjatë punimeve të seancës plenare të ditës së Enjte parlamenti pritet të votojë emërimin e Bujar Nishanit për postin e Ministrit të Brendshëm. Para zgjedhjeve parlamentare të 2009 Bujar Nishani ka mbajtur postin e ministrit të Brendshëm, ndërsa me riformatimin e qeverisë, ai u emërua në krye të ministrisë së Drejtësisë duke e marrë këtë post Lulzim Basha, i cili e mbajti deri në prag të çeljes zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 Majit.

Advertisement