Tiranë | Nishani-Fyle: zgjedhje brenda standarteve ndërkombëtare

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, pati një drekë pune me Komisionerin për Politikat e Zgjerimit dhe Fqinjësisë të Bashkimit Evropian, zotin Stefan Fule, gjatë së cilës u diskutuan axhenda evropiane e Shqipërisë dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Komisioneri Fule shprehu besimin për një rol aktiv të Presidentit të Republikës në kapërcimin e ngërçit politik përmes promovimit të një ambienti dhe platforme të përqasjes pozitive të procesit të integrimit evropian, brenda axhendës së përbashkët të Shqipërisë dhe Delegacionit Evropian. Presidenti Nishani rinënvizoi edhe njëherë rëndësinë e madhe që ka për Shqipërinë procesi i integrimit evropian si një nga prioritetet kryesore të shoqërisë shqiptare. Gjatë takimit, Presidenti Nishani nënvizoi rolin kontribues të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal, të fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit. Në lidhje me zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Kreu i Shtetit shprehu bindjen e tij se ekzistojnë të gjitha kushtet dhe mundësitë për të patur zgjedhje të lira, të ndershme dhe brenda standardeve ndërkombëtare. Presidenti i Republikës diskutoi me Komisionerin për Zgjerimin çështje që lidhen me reformën në drejtësi, për të cilat gjeti mirëkuptimin e tij.

Advertisement