Tiranë | Nishani dekreton Alaudin Malajn për anëtar të Gjykatës së Lartë

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekretoi sot emërimin e z. Alaudin Malaj, si anëtar të Gjykatës së Lartë, në përfundim të procesit ligjor të përzgjedhjes së kandidatit për anëtar të kësaj gjykate. Siç bëhet e ditur një njoftimin zyrtar të Presidencës, në përzgjedhjen e tij, mes kandidaturave për këtë post, Nishani i është referuar karrierës së gjatë dhe treguesve të përformancës së Malajt si gjyqtar. “Në kandidaturën e zotit Alaudin Malaj, si një konkurrues që vjen nga radhët e gjyqësorit, vlerësova përvojën dhe vjetërsinë në profesion si dhe treguesit mbi përformancën e tij si gjyqtar dhe si drejtues gjykate. Z. Malaj ka ushtruar profesionin e gjyqtarit të shkallës së parë për rreth 3 vjet dhe prej rreth 17 vitesh ushtron funksionin e gjyqtarit në gjykatë apeli. Prej muajit nëntor 2011 ai kryen edhe funksionin e Kryetarit të Gjykatës së Apelit Tiranë”, arsyeton Presidenti Nishani dekretin e tij. Pas përfundimit të mandatit të anëtarit Ardian Dvorani, më datë 20 janar 2014 u bë njoftimi publik mbi fillimin e procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve.

Advertisement