Tiranë | Nis trajnimi për KZAZ-të

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po mbështet Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në mbajtjen e trajnimeve për 76 trajnerë, të përzgjedhur nga vetë KQZ-ja, lidhur me Kodin Zgjedhor të ndryshuar së fundmi dhe aktet nënligjore përkatëse. Sesioni i parë do të mbahet më 26 dhe 27 prill 2013, për t’u ndjekur nga një sesion i dytë trajnimesh, i parashikuar për datat 29 dhe 30 prill. Sesionet do të përqëndrohen në rolin e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor nga momenti i themelimit të tyre e deri në përfundim të procesit zgjedhor, duke përfshirë të gjitha fazat e veprimtarisë së Komisioneve. Trajnerët do t’i përdorin njohuritë e fituara prej tyre për trajnimin e anëtarëve të KZAZ-ve anembanë vendit në kuadrin e përgatitjeve për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më 23 qershor. Trajnimi zhvillohet si pjesë e asistencës teknike që Prezenca e OSBE-së i jep Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë. Kjo asistencë synon të ndihmojë organet e administrimit të zgjedhjeve të përmirësojnë punën e tyre dhe të rrisin profesionalizmin. Kjo veprimtari po mbështetet edhe nga Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë.

Advertisement