7 mijë punonjës policie do të trajnohen dhe përgatiten për rolin e tyre në zgjedhjet e 23 qershorit, përmes trajnimesh të organizuara nga Prezenca e OSBE-së dhe policia e shtetit në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit. “Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, më 23 qershor 2013, janë një ngjarje shumë e rëndësishme politike e sociale për vendin. Këto zgjedhje vlerësohen dhe kanë vëmendjen e të gjithë opinionit publik, aktorëve të shoqërisë shqiptare dhe faktorit ndërkombëtar”, theksoi kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, gjatë cermonisë së organizur sot në Shkollen e Policisë, me rastin e fillimit të një cikli trajnimesh nga OSBE, mbi rolin e punonjësve të policisë në procesin zgjedhor. “Procesi zgjedhor është në të njëjtën kohë një detyrim i madh për të gjithë strukturat e Policisë së Shtetit, detyrim i cili kërkon domosdoshmërisht parapërgatitjen e të gjithë strukturave për të përballuar ngarkesat si në aspektin teorik për zotërimin e legjislacionit përkatës, ashtu edhe atë praktik, për perfeksionimin e sjelljeve specifike në përputhje me kërkesat e procesit zgjedhor”, u shpreh ai. Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, kërkoi nga punonjësit e policisë që të vlerësojnë maksimalisht këtë proces trajnimi, si kusht për realizimin me sukses të misionit të Policisë së Shtetit në sigurimin e rendit dhe të qetësisë publike para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor.