Tiranë | Nis rikonstruksioni i rrugës “Agush Gjergjevica”

Me një investim prej 94.7 milionë lekësh të Bashkisë së Tiranës do të mundësohet rikonstruksioni i plotë i rrugës “Agush Gjergjevica”, me gjatësi rreth 1.8 km. Kryebashkiaku Basha ka inspektuar sot nisjen e punimeve për këtë rrugë e cila do të ketë një gjerësi prej 7 metrash dhe me trotuare në të dy anët e rrugës, nga 1.5 deri në 2 metra. Kreu i Bashkisë Lulzim Basha ka garantuar se kjo rrugë do të ketë të gjithë parametrat e nevojshëm dhe se në Tiranë ka përfunduar koha e asfalteve elektorale. “Rruga “Agush Gjergjevica” është një ndër rrugët më të gjata të qytetit tonë, me një gjatësi prej afro 1.8 km dhe që i shërben një komuniteti prej mbi 5000 banorësh. Para tre vitesh, në këtë rrugë është bërë asfaltimi i 1/3 të rrugës, pra afro 500 metra, asfaltim i cili sot për fat të keq duhet të kryehet përsëri, per t’u shërbyer qytetarëve të kësaj zone. Pra, hedhim në “kosh të plehrave” disa miliona lekë të qytetarëve, taksapaguesve të Tiranës, për shkak të një investimi të pjesshëm dhe të paplanifikuar mirë. Përsëris zotimin tim që çdo projekt, që në fakt janë para të qytetarëve të Tiranës, të jetë në parametra cilësorë, të tillë që të mos shohim më ndërhyrje fatkeqe, siç është fillimi i projektit këtu i pjesshëm, i paplanifikuar, jo cilësor, pra para – elektoral” u shpreh Basha. “Në përfundim të punimeve, të ndërmarra nga një kompani me përvojë të madhe në punime urbane dhe që po kështu ka marrë përsipër që këtë projekt ta përfundojë brenda 8 muajve dhe jo 10 siç është parashikuar në kontratë, qytetarët e kësaj zone do të kenë në dispozicion rrugën “Agush Gjergjevica”, me një shtrat prej 7 metrash, me trotuare nga të dy anët, nga 1.5 deri 2 metra dhe kudo që do të preken avllitë e tyre, pra muret rrethues do të zëvendësohen me kangjella dekorative me shpenzimet e Bashkisë”, theksoi z. Basha.

Advertisement