Nga kjo kuti sipas të dhënave paraprake rezulton se diferenca mes tyre do të jetë në disa dhjetëra vota, në ndryshim nga ç’ishte parashikuar në fillim të procesit zgjedhor. Sakaq sipas KQZ-së, pa llogaritur dy kutitë e tjera që kanë përfunduar numërimin, kandidati i maxhorancës Lulzim Basha kryeson me 270 vota. Pak më vonë pritet që KQZ të publikojë edhe rezultatet e dy kutive të parafundit të përfunduara së numëruari nga komisionerët e KZAZ-së numër 49. Sapo ka nisur numërimi i kutisë së fundit, ku vetëm disa vota kanë mundur të numërohen pasi skaneri i tavolinës së numërimit ka shfaqur problem duke bërë që komisionerët të ndryshojnë tavolinën e numërimit. Sakaq në një tjetër tavolinë ka rinisur numërimi dhe nga këto vota të fundit pritet të dalë edhe emri i fituesit i cili do të qeverisë qytetarët e kryeqytetit në katër vitet e ardhshme.