Tiranë – Nis gjykimi për të pandehurit e dosjes “Gërdeci”

Seanca do të njihet si e para e këtij lloji e zhvilluar në vënd për përmasat e saj të mëdha si në numrin e madh të të pandehurve, avokatëve, prokurorëve dhe dëshmitarëve. Të pandehurit janë plot 30 ku vetëm 3 prej tyre janë arrestuar ndërsa dëshmitarët janë 490 ku 123 prej tyre janë punonjës të kompanisë “Albademil” që kryenin demontimin e predhave e fishekëve. Këta dëshmitarë janë pyetur gjatë fazës së hetimit dhe kanë pohuar se në Gërdec ka vepruar dhe një grup prej 6-8 personash. Në super seancën e sotme gjyqësore mësohet se do të marrin pjesë përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme, Avokati i Shtetit, familjarë të personave që humbën jetën në tragjedi dhe të akuzuarit. Mësohet se është përgatitur salla e madhe që do të akomodojë të pranishmit. Mes të akuzuarve për këtë çështje është edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha. Në pranga si përgjegjës për shpërthimin dhe vrasje masive janë vënë 3 personat që kishin në posedim fabrikën. Të pandehur në paraburgim për ngjarjen e rëndë të Gërdecit janë administratori i Alba-Demil Mihal Delijorgji, Drejtori i MEICO, Ylli Pinari dhe përgjegjësi i fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, Dritan Minxolli. Tragjedia e Gërdecit është ngjarja më tragjike e ndodhur në dekadat e fundit për Shqipërinë. Më 15 Mars të vitit 2008, në fshatin Gërdec pranë Vorës, 15 km nga Tirana shpërtheu një fabrikë e demontimit të armëve. Si pasojë e shpërthimit humbën jetën tragjikisht 26 persona, u plagosëm mbi 300 të tjerë ndërsa qindra shtëpi e dhjetra biznese u shkatërruan.

Advertisement