Tiranë | Nis aplikimi i amnistisë, lirohen 900 të burgosur

Sot nis zbatimi i ligjit për dhënien e amnistisë, prej të cilit është përllogaritur se fitojnë lirimin e menjëhershëm rreth 900 të dënuar dhe të paraburgosur. Sipas njoftimi të Drejtorisë së Burgjeve “me datë 10 prill 2014 nis zbatimi i Ligjit Nr. 22/2014 “Për Dhënie Amnistie”, i cili hyri në fuqi dy javë pas botimit në Fletoren Zyrtare Nr. 38, datë 26 Mars 2014”. “Përfitimi nga ky ligj është tërësor ose i pjesshëm. Nga zbatimi i tij është përllogaritur, se fitojnë lirimin e menjëhershëm rreth 900 të dënuar dhe të paraburgosur. Ndërsa ulje dënimi përfitojnë të gjithë të dënuarit në sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale”, thuhet në njoftim. “Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar zbatimin pa probleme dhe mbarëvajtjen e këtij procesi në të gjitha I.E.V.Penale të vendit. Pjesë e përfituesve nga falja e përgjithshme janë edhe gratë, mes të dënuarve të cilëve u kanë mbetur deri në 3 vite burg, personave të dënuar me kusht apo gjobë etj, ndërsa përjashtohen nga amnistia të dënuarit për krime të rënda.”, thuhet në njoftim. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve bëri të ditur se janë rreth 900 të burgosur që do të përfitojnë nga ky ligj.

Advertisement