Duke fajësuar për vonesën e shpalljes së listës Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile që punon nën varësinë e Ministrisë së Brendshme, Lindita Nikolli theksoi se “Partia Socialiste ka arsye të dyshojë se këto vonesa janë të qëllimshme dhe synojnë manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme lokale të 8 majit 2011″. “Në shkelje të plotë të të gjitha afateve ligjore, Ministria e Brendshme nuk ka përpunuar informacionin për ndarjen e re të qendrave të votimit edhe pse pushteti vendor ka përmbushur të gjitha detyrimet e veta brenda afatit kohor të 20 Tetorit 2010”, tha Nikolli. Ajo iu referua për këtë udhëzimit të Ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, i cili thotë se listat paraprake të zgjedhësve duhet të ishin shpallur që në datën 26 tetor 2010, dhe sikundër kuptohet dita e sotme shënon shkelje të afateve kohore me 10 ditë. Nikolli sqaroi se “Ky proces totalisht jo transparent nga drejtoria e përgjithshme e gjendjes civile, nën varësinë e ministrit Lulzim Basha, ua bën të zgjedhurve vendorë të pamundur të kenë informacion të saktë për numrin e zgjedhësve dhe lëvizjet e tyre, çka krijon terrenin e favorshëm për manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme, njësoj si zgjedhjet e shkuara”.