Tiranë – Ngrihen 4 pista hetimi për vrasjen e deputetit Xhindi

Një mbledhje e drejtuesve më të lartë të prokurorisë dhe policisë ku u analizua ngjarja e rëndë ka konkluduar me nxjerrjen e 4 pistave hetimore si më kryesoret mbi të cilat do të vijojnë verifikimet dhe investigimet e mëpasme, por që ende nuk bëhen të ditura për arsye hetimi. Në mbledhje bëhet e ditur se kanë qënë të pranishëm edhe kryeprokurorja Ina Rama, prokurori i Krimeve të Rënda Olsi Cela , prokurori Sokol Stojani si dhe përfaqësues të tjerë të prokurorisë dhe policisë së Fierit. Policia e Shteti nga ana e saj ka konfirmuar se një grup i kualifikuar ekspertësh po punon intesifikisht për zbardhjen e vrasjes dhe identifikimin e autorit. Policia e Shtetit ka angazhuar ekspertët më të mirë të policisë së shtetit, prokuroria ekspertët e saj si dhe SHISH strukturat tij për të zbardhur vrasjen. Në orët e vona të ditës së djeshme, burime të policisë kanë dhënë dhe disa detaje teknike të vrasjes së deputetit Xhindi. “Në drejtim të 49-vjeçarit është gjuajtur nga një distancë 2 metra me 12 plumba të kalibrit 7.62 milimetra, ku 9 prej tyre kanë rënë në trup duke i sjellë vdekjen, ndërsa 3 të tjerë, pas goditjes kanë bërë rikoshetë”, – shtojnë burimet e mësipërme. Konfirmohet se të parët që kanë gjetur trupin e Xhindit mes pellgut të gjakut në pragun e derës së shtëpisë, kanë qenë e ëma, gruaja e tij dhe djali. Hetimet drejtohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila po bashkëpunon mirë me policinë. Ndërkohë që agjentë civilë ndodhen në terren në Roskovec, ku janë marrë në pyetje 10 persona të cilët kanë deklaruar se janë takuar me Xhindin disa momente para vrasjes. Ndërkohë, makina e deputetit Xhindi ndodhet në laboratorin e kriminalistikës, ku po analizohet edhe një qese e gjetur në skenën e krimit, tek e cila policia dyshon se mund të ketë gjurmë gishtash. Aktivitetet e shumta elektorale dhe ndezja e fushatës së prezantimit të programeve politike për zgjedhjet e qershorit, nuk e përjashtojnë përplasjen politike si një motiv i mundshëm për krimin e kryer. Gjithsesi, sipas policisë por edhe sipas banorëve, deputeti i ndjerë Xhindi, mundohej t’i evitonte ndarjet politike dhe gëzonte njësoj respekt nga anëtarët e të dyja forcave politike.

Advertisement