Në mbledhjen e sotme nënkryetari socialist i komisionit, Fatmir Xhafaj, propozoi mbajtjen e seancave dëgjimore me të gjithë kandidatët, që do të përbëjnë trupën e KQZ-së. Propozimi i tij u mbështet nga kryetari i komisionit, Ilir Rusmali, i cili i kërkoi deputetëve që të shqyrtojnë të gjithë dokumentacionin e kandidatëve dhe të shqyrtojnë plotësimin prej tyre të kritereve ligjore. Ndërkohë, më herët, deputetët e majtë të komisionit e bojkotuan sërish mbledhjen e komisionit të Ligjeve, ku u diskutua projektligji “Për nëpunësin civil”. Bojkoti i opozitës ishte paralajmëruar një ditë më parë, duke përsëritur kushtin politik se nuk do të marrë pjesë në diskutimet e projektligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, pa u zgjidhur më parë situata në Qarkun e Fierit.