Tiranë | Nesër mbyllet sesioni parlamentar me miratimin e reformës territoriale

Arkiv

Kuvendi i Shqipërisë mbyll të enjten punimet e sesionit të dytë parlamentar të Legjislaturës së VIII-të.

Seanca e fundit parlamentare parashikohet të jetë e gjatë për shkak të axhendës së ngjeshur dhe çështjeve të rëndësishme që do të miratohen. Rendi zyrtar i punimeve të Kuvendit përfshin rreth 16 pika, ndërsa për votim janë disa projektligje të mbartura nga seanca e kaluar, miratimi i të cilave kërkon shumicë të cilësuar (84 vota). Punimet e nesërme të Kuvendit parashikojnë diskutimin e një sërë pr/ligjesh me natyrë ekonomike, sociale, por dhe atyre në fushën e sigurisë, ndërkohë që për nga rëndësia kryefjala e seancës së fundit të këtij sesioni është drafti i reformës territoriale, i cili gjithashtu kërkon 84 vota. Maxhoranca e majtë pritet të konfirmojë të enjten shumicën e cilësuar në parlament, për miratimin e një numër pr/ligjesh qe kërkojnë 84 vota, ndryshe nga sa ndodhi një javë më parë kur disa deputetë të saj bojkotuan votimin e disa drafteve të rëndësishme në fushën e reformës në drejtësi. Një prej tyre, deputeti socialist Tom Doshi, konfirmoi dje se do të jetë i pranishëm të enjten në Kuvend dhe do të votojë të gjitha pr/ligjet. Opozita pritet të mos jetë e pranishme, sikurse ka ndodhur në tre seancat e fundit, për shkak të vendimit të saj për të bojkotuar parlamentin, pas konfliktit në seancën e 10 korrikut, mes deputetit demokrat, Gent Strazimiri dhe deputetëve socialistë, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu.

Advertisement