Tiranë | Nënkryetari i KQZ-së jep dorëheqjen

Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, ka dhënë dorëheqjen nga detyra mbrëmjen e sotme. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të KQZ-së, të cilat nuk bënë të ditur motivet e këtij veprimi. Denar Biba u zgjodh nënkryetar i KQZ-së si përfaqësues i Partisë Socialiste. Dorëheqja e tij nga ky funksion vjen vetëm një ditë pas shkarkimit nga Kuvendi të përfaqësuesit të LSI-së në këtë komision, Ilirjan Muho dhe zëvëndësimin e tij me Klement Zgurin, i propozuar nga Partia Republikane. Denar Biba e nis tekstin e dorëheqjes së tij duke e vlerësuar shkarkimin e Ilirjan Muhos si një akt jashtëzakonisht të rëndë në dëm të parimeve themelore të ndarjes së pushteteve, konstitucionalizmit dhe shtetit të së drejtës. “Përtej argumenteve mbi nevojën për të balancuar politikisht KQZ, ky akt tregoi qartësisht dhe pa asnjë dyshim mungesën e plotë të vullnetit për të ndërtuar institucione të pavarura në Shqipëri. Sepse misioni i parë dhe i fundit i tyre nuk duhet të jetë ndërtimi i institucioneve të balancuara, por i institucioneve të pavarura!” thekson Biba. Me këtë vendim të mazhorancës në Kuvend, Biba vlerëson se “antarët e KQZ u trajtuan si anëtarë të rëndomtë partie, duke na fyer, e madje, ndonjërin edhe duke e cwnuar në nderin e dinjitetin e tij personal e profesional”. Pikërisht ky votim në Kuvend dipas Bibës, e ka detyruar atë të japë dorëheqjen. “Në rrethana kur mbrojtja ligjore e institucionale që supozohej se e kishim të garantuar si anëtarë të institucionit të ngarkuar nga ligji për tu dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme është përdhosur haptazi, vlerësoj se duhet të jap dorëheqjen nga detyra e Zëvendëskryetarit dhe njëherësh anëtarit të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve. Populli ynë e meriton demokracinë dhe shtetin e së drejtës, ndaj ne nuk mund të tallemi duke i serviruar atij një KQZ si teatër marionetash, në duart e politikanëve.” deklaron Biba.

Advertisement