“Janë bërë përllogaritjet e fundit dhe në mbledhjen e kësaj të mërkure qeveria vendos për rritjen e rrogave dhe pensioneve në vend. Nuk ka vendim më njerëzor se vendimi për të rritur në këtë periudhë rrogat dhe pensionet për shqiptarët. Rritja e rrogave dhe pensioneve është një akt madhor, premtim madhor në politikën sociale të kësaj maxhorance dhe kësaj partie”, tha Kryeministri. Ky vendim, shtoi Berisha, vjen pas politikave të sukseshme ekonomike të ndërmarra nga qeveria. “Ky është modeli që bazohet në ligjet dhe praktikat më të mira, që bën të mundur rritjen e të ardhurve, rritjen e investimeve, rrogave, penisioneve, ndryshime kolosale të infrastruktrës”, theksoi Berisha. Sipas Kryeministrit, rritja e rrogave dhe pensioneve rrit fuqinë blerëse, por, sipas opozitës, ndodh e kundërta. “Pseudoekonomistët e tyre thonë se rrogat shtohen, por fuqia blerëse ulet. Si ka mundësi? Kjo përbën një rritje të fuqisë blerëse të 800 mijë familjeve shqiptare, të cilat nga data 15 korrik do të marrin më shumë se para datës 15 korrik. Shqiptarët e dinë që këto rritje prekin portofolin dhe jetën e tyre të përditshme”, tha Kryeministri. Kryeministri Berisha shtoi se “rrogat s’mund të rriteshin qoftë edhe një qindarkë, madje në kushte të njëjta me vende të tjera të rajonit dhe Evropës do të duhej të uleshin. Pensionet s’do mund të rriteshin qoftë dhe një qindarkë, por do të uleshin. Ndihma ekonomike s’do mund të rritej, por do duhej të shkurtohej, në rast se ekonomia shqiptare, qeverisja, reformat s’do të ishin një histori e vërtetë suksesi”. Kryeministri bëri të ditur se “i tërë qëllimi i kësaj qeverie, i reformave që ajo ndërmerr, është para së gjithash një dhe vetëm një, mirëqënie në rritje për qytetarët”. “Ne vijmë në këtë prag vere pasi me qindra projekte në infrastrukturën publike rrugore, të ujit, energjisë, kanë lëshuar dhe po lëshojnë shtat çdo ditë e më shumë. Ky është modeli, të cilin vendosëm ne. Ky është modeli, i cili u qëndroi vështirësive më të mëdha, në një kohë krize të shumëanshme që ka pllakosur Evropën dhe që do vazhdojë me sa duket për jo pak vite”, tha Kryeministri Berisha.