Sipas, Ndokës deklaratat e Berishës se kryetari i Partisë Demokristiane është pronar i një firme ndërtimi me emrin “Nardi Construction” dhe se kjo firmë ka marrë mbi 28 mijë metër katror truall ndërtimi, janë një shpifje e ulët e Kryeministrit, në vazhdën e përpjekjeve të tij për të dëmtuar PDK-në. “Është e papranueshme, që kryeministri, pasi i vodhi votat PDK-së dhe i grabiti mandatin në Shkodër, tani nëpërmjet shpifjeve banale ndaj Kryetarit të Partisë Demokristiane kërkon të vjedhë edhe imazhin e PDK-së. Ndoka të gjitha pasuritë e tij i ka të deklaruara në deklaratën e pasurisë të depozituar në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, në përputhje me ligjin. Kryetari i PDK, pas depozitimit të kallëzimit penal kërkoi nga institucionet e drejtësisë që të vënë para ligjit kryeministrin për shpifjet e tij banale dhe të turpshme. Në shtetin e së drejtës, edhe Kryeministri është i barabartë me të gjithë qytetarët e tjerë para ligjit’ thuhej në deklaratën lëshuar nga zyra e shtypit e Partisë Demokristiane.