Nina Mula ka lindur në 23 nëntor të vitit 1931 në Rusi. Kur ishte 18 vjeç artistja ruse Irina Maslenikova e dëgjoi të interpretonte në skenën e teatrit dhe i propozoi të konkurronte në Konservatorin e Moskës. Ajo hezitoi duke qenë një vajzë pa prindër dhe nën mbikëqyrjen e vëllezërve të saj, por me insistimin e Maslenikovës, ajo konkurroi dhe fitoi konkursin. Këtë fitore, Nina Mula e ka konsideruar si fitoren e saj të parë që i hapi një dritare dhe që realizoi një ëndërr të pabesueshme. Më pas kryen edhe një kualifikim pasuniversitar pranë Konservatorit të Moskës. Në vitet e studimeve, Nina njohu bashkëshortin e saj Avni Mulën. Pas mbarimit të kursit, në vitin 1957, vjen në Shqipëri. Emërohet soliste pranë Teatrit të Operas dhe Baletit, ku punoi deri në daljen e saj në pension në vitin 1976. Vetëm gjashtë muaj pasi kishte ardhur në TKOB, Ninës iu besua roli i Jolantës në veprën me të njëjtin titull të Çajkovskit. Në vitin ’58, me partner bashkëshortin, Nina interpretoi rolin e Rozinës në operën “Berberi i Seviljes” me pas interpretoi në “Pranverën” e Tish Daisë. Nina Mula mbahet mend për rolet e saj në operat “Evgeni Onjegini” , “Madam Batërflaj”, “Dasma e Figaros” e më në operën “Karmen”. Pak vite më vonë pati rolin e Mrikës në veprën me të njëjtin titull të Jakovës dhe atë të Donikës në premierën e operës “Skënderbeu”. Në 80-vjetorin e saj të lindjes, një muaj më parë, sopranoja Mula pohon se i ka ngelur peng dhe do donte të interpretonte “Toskën”, “Trovatore” pse jo dhe “Luçia di Lamermmor”. Ajo u largua nga skena në moshën 45-vjeçare, ndërkohë që do të kishte dashur të qëndronte më gjatë për të realizuar të tjera role. Për aktivitetin e saj Nina Mula është nderuar me shumë çmime, medalje e tituj, si Urdhrin “Naim Frashëri të klasit të II”, titullin “Artiste e Merituar”, Çmimin e Parë në Festivalin e Romancës si dhe titullin “Mjeshtre e Madhe e Punës”.