Tiranë | Napolitano: do ta fitojmë kauzën e integrimit në BE

Presidenti i Republikës Bujar Nishani dhe homologu e tij italian Giorgio Napolitano vlerësuan lart marrëdhëniet dypalëshe, partneritetin strategjik dhe rolin e Shqipërisë në rajon si faktor stabiliteti. Nishani shprehu vullnetin e Shqipërisë për të forcuar më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë, si dhe për intensifikimin e dialogut politik nëpërmjet shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë. Kreu i Shtetit gjithashtu bëri të ditur se gjatë këtij takimi u bisedua në mënyrë të veçantë për perspektivën europiane të Shqipërisë. “E konsiderojmë statusin e vendit kandidat, si stacionin e radhës të një rruge që kërkon reforma shumë të thella dhe të plota sidomos sa i përket reformave të sundimit të ligjit në mënyrë që të përgatitemi për hapjen e negociatave”, theksoi Nishani, teksa shprehu vendosmërinë për të bërë një ndryshim thelbësor në këtë fushë. Ndërsa Kreu i Shtetit italian, Napolitano, shprehu mbështetjen e plotë për Shqipërinë në procesin e saj integrues drejt BE-së. “Ne do të vazhdojmë të bëjmë avokatin e Shqipërisë dhe jemi të bindur se do të fitojmë edhe kauzën e hyrjes në BE pas hyrjes së saj në NATO”, tha Presidenti italian. Napolitano u bëri apel forcave politike shqiptare për bashkëpunim mes tyre në funksion të një prezantimi dinjitoz tek institucionet ndërkombëtare. Referuar krizës së marrëdhënieve aktuale, ndërmjet Rusisë, BE-së dhe SHBA-së, pas ngjarjeve të fundit në Ukrainë, Presidenti italian uroi që zgjidhja të vijë nëpërmjet moderacionit dhe dialogut mes të gjitha palëve. ”Populli i Ukrainës, është pjesë e horizontit tonë strategjik”, tha Napolitano. Në përfundim të konferencës së përbashkët për shtyp, në Pallatin e Brigadave u zhvillua ceremonia e dekorimit të Presidentit të Republikës italiane me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.

Advertisement