Tiranë | Nano: partitë të vendosin në favor të integrimit

alt

Në një njoftim për shtyp, thuhet se “Fatos Nano inkurajon kryetarët e partive që të mbërrijnë me pjekuri në një marrëveshje parimore e transparente, dhe në favor të përparimit të axhendës së integrimit europian të vendit, para ardhjes në Shqipëri të Stefano Saninos, i dërguar i Komisionerit Stefan Fule. Ne shqiptarët, klasa politike shqiptare kërkohet të dëshmohemi të aftë për të prodhuar zgjidhje e të bëjmë zgjedhje të mira dhe se e meritojmë të bëhemi një vend i denjë, anëtar i Bashkimit Europian”. “Fatos Nano inkurajon të gjithë liderët politikë në vend që të bëhen së bashku në një Aleancë të Madhe Mirëbesimi, për të ndërtuar proçese të mirëbesuara e mirëkuptuara në mënyrë që të sigurohen produkte demokratike, të lira, pro perëndimore”, thuhet në njoftimin për shtyp. Nano, duke inkurajuar krerët e partive parlamentare që të kërkojnë kandidatët më të mirë për të zgjedhur Presidentin më të mirë, thekson se ‘kategorizimi i kandidaturave është shprehja më e qartë e kulturës së gabuar jodemokratike, që nuk prodhon dot kurrësesi fryte pozitive për shqiptarët dhe Shqipërinë”. Sipas tij, nëse Fatos Nano do të jetë Presidenti i ri ai përkushtohet që të bëhet garant i plotësimit dhe përmbushjes së reformës zgjedhore, reformës parlamentare si edhe i të gjitha reformave të nevojshme bazuar në kriteret për anëtarësim në BE. “Nëse Fatos Nano do të jetë President ai synon të jetë ushtrues i një Presidence sipërmarrëse, negociatore, nxitëse dhe kërkuese e një reforme të thellë, qelizore dhe gjithëpërfshirëse në drejtësinë shqiptare. Për t’i përmbushur të gjitha këto reforma, Shqipërisë nuk i duhet një President i dobët dhe i josshëm nga pushtetet dhe loja politike, por i duhet një President dalëzots”, thuhet në njoftimin për shtyp.