Në njoftimi për shtyp, të publikuar nga zyra e shtypit e Lëvizjes Nano, thuhet se prej javësh PS, nëpërmjet Kryetarit Rama, ka adoptuar qëndrimin për një proçes amorf, nëpërmjet të cilit do të shkohet tek një kandidat konsensual. “Prej javësh është vënë re këmbëngulja e paarsyetuar e zyrës së Ramës, se kjo parti nuk ka emër për të propozuar ngase PS është pakicë, nuk ka numrat për ta zgjedhur Presidentin, se PS synon vetëm konsensusin me kandidatët e mazhorancës, e të tjera deklarata të tilla vetëpërjashtuese të opozitës nga vendimmarrja parlamentare”, thuhet në deklaratën për shtyp të Fatos Nanos. Nano e konsideron një mundësi të madhe për PS-në, që e ka pranë saj, pjesë të historisë së saj, në traditën e saj ofertën më të mirë për Presidentin më të mirë duke shtuar se “Fatos Nano, i ka të gjitha mundësitë të jetë President konsensual, pra i mirëbesuar, bashkëvendosur dhe bashkëvotuar nga shumica dhe opozita, ose President i zgjedhur nga një garë e lirë dhe e ndershme me rregulla e vullnete konsensualisht të bashkëvendosura për ta lejuar këtë garë si të tillë”. Më tej, ish-kryetari i së majtës shqiptare, e falenderon dhe i shpreh mirënjohjen e thellë Stefano Saninos, të dërguarit të Komisionerit Stefan Fule në Shqipëri, për misionin e tij të sotëm moderator në vendin tonë e për përpjeket dhe inkurajimin që ai ka bërë për të zgjidhur ngërçin e zgjedhjes së Presidentit. Sipas tij, ndihma dhe mbështetja e institucioneve europiane dhe e të gjithë partnerëve euroatlantikë është e shumëçmuar dhe tejet e rëndësishme për mbarëvajtjen e punëve në vendin tonë. Duke respektuar të drejtën e PS-së zyrtare për të mbajtur qëndrime të qarta partiake dhe të motivuara nga interesa dhe kalkulime të logjikës e lojës politike për pushtet, Nano nënvizon se “nuk mund të mos shprehë mosmirëkuptimin e tij për këtë mendësi jodemokratike e joperëndimore bllokuese të garës dhe të konkurencës së lirë”. Ai i tërheq vëmendjen kryesocialistit se “lideri i Opozitës, nuk mundet të mos kuptojë se ka ditë, ka momente kur vendi, shoqëria shqiptare, kombi, janë më të rëndësishëm sesa Partia, sesa cilado parti”. Nano vë në dukje se sot Shqipëria ka nevojë për një President dinjitoz dhe opozita nuk mundet të heqë dorë nga mundësia e saj për ti dhënë Shqipërisë Presidentin më të mirë. “Opozita nuk mundet të mos jetë në përpjekje të pashterrshme dhe qëllimlarta për të hapur mundësitë e garës së lirë, duke siguruar krahasueshmërinë dhe konkurimin e vlerave e personaliteteve më të mira që ka PS dhe vendi”, shprehet Nano në deklaratën për mediat. Sipas tij, opozita nuk mund të mjaftohet me një proçes që prodhon vetëm konsensus kryetarësh, por aspak Presidentin më të mirë për shqiptarët. Ish-kryeministri socialist shton më tej se, në vitin e 100-të Pavarësisë së shtetit shqiptar,rrezikojmë të festojmë mes krizash, ngërçesh, mosmarrëveshjesh, papjekurie politike si edhe bjerje të shpresës. “Jemi në prag të provimit të tretë për të marë statusin e vendit kandidat për në BE por politizimi i tepruar, mungesa e mirëbesimit mes palëve, mbytja e garës dhe konkurrencës së lirë, nxitja e konfliktualitetit, e llogorizimit, e militantizmit shterpë, apo e klientelizmit privat te kryetareve, po e lëvizin Shqipërinë jashtë aksit të meritës për ta kaluar me sukses këtë provim”, përfundon deklarata për mediat e kandidatit të vetshpallur për President, Fatos Nano.