Ish-kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano e bëri pohimin në emisionin “Opinion” të Tv Klan për gazetarin Blendi Fevziu, duke deklaruar se “unë do të jem një kandidat potencial për të fituar postin e Kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës”. I pyetur se si do të arrinte ta fitonte zgjedhjen në këtë detyrë, z.Nano tha se askush nuk mund të dyshojë se ai ka mundësi dhe potenciale për të arritur këtë synim. “Ju mendoni se unë nuk kam elektorat? Mendoni se nuk kam aftësi dhe mundësi organizative për të fituar?”, deklaroi Nano. Ndërkohë në intervistën e tij, Nano hodhi dhe pretendimin se është kërcënuar me jetë nga njerëz pranë kryetarit aktual të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, duke shtuar se këto njerëz kërkohen nga drejtësia. Këtu Nano përfshiu edhe “kriminelë në kërkim, të njohur në media, pjesë e stafit elektoral të Ramës”, të cilët tha se e kanë kërcënuar me jetë. Ai gjithashtu shtoi se këta njerëz të kërkuar nga ligji kanë qenë. Në intervistë, Nano u shpreh edhe kundër bojkotit të Parlamentit nga deputetët e Partisë Socialiste. “Unë i bëj thirrje anëtarëve të Partisë Socialiste që të jenë kundra bojkotit të Parlamentit. Bojkoti është një aventurë e dështuar që është e destinuar të përfundojë shpejt”, theksoi z.Nano në intervistën për tv Klan. Në më shumë se dy orë intervistë, Nano ashtu si dhe pak muaj më parë në daljen pragzgjedhore, nuk kurseu asnjë akuzë dhe fyerje publike ndaj Edi Ramës, duke e ofenduar atë edhe moralisht. Batutat për dyshime burrërie ndaj Edi Ramës, të nisura në intervistën e pak javë para zgjedhjeve, degjeneruan në përfolje të tipit “as burrë – as grua”, duke vijuar më tej, me deklaratën e fortë se do të rikthehet në politikë duke synuar në vazhdim të jetës së tij, të nxjerrë jashtë karrierës Edi Ramën, për të cilin tha se ai nuk largohet vetë nga politika, duke sjellë si shembull mostërheqjen politike pas 28 qershorit. Nano tha se do të kandidojë për të marrë postin aktual të kryetarit të Bashkisë së Tiranës të cilin e kontrollon prej afro një dekade Edi Rama, duke mos përjashtuar dhe marrjen e frenave të PS edhe një herë, kur tha se heqja e titujve institucionalë Ramës, do të bëhet një e nga një.