Tiranë | Naço: reformë në sistemin e drejtësisë, duke nisur nga KLD

Ministri i Drejtësisë Nasip Naço zhvilloi sot një seancë dëgjimore në Komisionin e Integrimit, ku bëri një një prezantim mbi strategjinë dhe planin e veprimit në luftën kundër korrupsionit në sistemin e Drejtësië dhe krimit të organizuar në vend. Ministri i Drejtësisë shpjegoi prioritet e strategjisë kundër korrupsionit në Drejtësi dhe reformat në sistemin gjyqësor, ku përfshihen konstatimet e Progres-raportit të Komisionit Europian të vitit 2013. Ministri Naço, theksoi se duhet një reformë e gjerë në sistemin e drejtësisë , duke nisur nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë e deri tek sistemi gjyqësor. Ai pohoi se brenda muajit maj do të jetë gati Paketa e re e Procedurës Penale, ndryshime dhe në Procedurën Civile dhe Administrative. Gjatë fjalës së tij, ministri Naço tha se KLD mban nën presion kryetarët e gjykatave, duke mos i emëruar, por duke i lënë të komanduar. “KLD ka emëruar vetëm 7 kryetarë gjykatash. Pjesa tjetër është e komanduar dhe ka qenë nën presion të këtij institucioni”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Nasip Naço. Sipas ministrit të Drejtësisë, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtesisë janë bërë pengesë për emërimin e gjyqtarëve të rinj. “Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë janë bërë pengesë për emërimin e gjyqtarëve të rinj. Me gjyqtarët e rinj do të luftojmë korrupsionin në drejtësi, pasi gjyqtarët e vjetër janë në radhët e të korruptuarve”, deklaroi Naço. Lidhur me sa më lartë Kreu i Drejtësisë denoncoi faktin se në mbledhjen e fundit të KLD-së u mor vendimi për të emëruar katër gjyqtarë në Gjykatën e Apelit rrethi Durrës, ku nga 61 kandidatë vetëm katër prej tyre morën 11 vota të tjerët nuk morën asnjë votë, çka nënvizoi Naço, “tregon se mbledhja ishte bërë më parë diku gjetkë”. Ministri i Drejtësisë në fjalën e tij theksoi vullnetin e mazhorancës qeverisëse për të luftuar korrupsionin, si një nga plagët e shoqërisë shqiptare. Ministri i Drejtësisë tha se për të luftuar korrupsionin duhen sekuestruar pasuritë e paligjshme. Sipas Naços, vullneti politik do ta bëjë luftën ndaj korrupsionit më efektive dhe kjo do të jetë pasaporta për në BE e Shqipërisë. Po ashtu Ministri Naço bëri të ditur se po punohet edhe për të reformuar kodin penal, kodin e procedurës civile si dhe Kodin Administrativ, ndërsa shtoi se këto reforma janë thelbësore duke parë se këto ligje janë miratuar në vitin 1995 për herë të parë, modifikuar në 1998 kur u miratua kushtetuta, më pas nuk janë prekur përveç disa ndëhryrjeve të vogla. Anëtari i Komisioni të Integrimit, Gramoz Ruçi ka deklaruar se i gjithë sistemi i drejtësisë është i kalbur dhe duhet reformuar. Deputeti i Partisë Demokratike, Arben Imami në fjalën e tij i bëri apel Ministrit Naço të mos punohet për të dënuar emra të veçantë, por të punohet intenisivisht për të ndryshuar produktin, pasi ndryshimi i emrave nuk sjell rezultat, sipas Imamit. Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu në përfundim të diskutimeve nënvizoi vullnetin e opozitës për t’u bërë palë me qeverinë në luftën ndaj korrupsionit dhe fenomeneve të tjera që ndikojnë në mos zhvillimin e vendit dhe integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Advertisement