Tiranë | Naco: reformë në KLD dhe Gjykatën e Lartë

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, bëri të ditur sot se Kryetari i Gjykatës së Pukës, i larguar me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për Korrupsion, ishte i komanduar dhe kishte më shumë se një vit që mbante një pozicion që nuk i takonte. Naço, gjatë një raportimi në komisionin e Ligjeve lidhur me konkluzionet e nxjerra nga progres-raporti i Bashkimit Europian për drejtësinë në Shqipëri për vitin 2012, tha se Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet reformuar. “Nga 26 gjykata në vend, sot 23 kryegjykatës nuk kanë mandat. Ata janë të komanduar, pra kanë të drejtën të udhëheqin gjykatën përkatëse vetëm tre muaj, më tej KLD duhet të vendos t’i emërojë ose jo këta gjykatës, por sot ata ende nuk janë emëruar dhe nuk kanë lëvizur nga vendi. Sot këta gjykatës kanë 1.2, apo dhe 3 vjet të komanduar”, sqaroi Naço, i cili përgjegjësoi KLD-së si organi që ka për detyrë rregullimin e sistemit gjyqësor. Sipas Naços, gjatë dy viteve të fundit rezultojnë 16 gjyqtarë të diplomuar nga shkolla e magjistraturës, ende asnjëri prej tyre nuk është emëruar. Kjo, shtoi kreu i Drejtësisë, është përgjegjësi e KLD që lëviz në të njëjtat emra gjykatësish dhe nuk promovon të rinjtë. Emisioni “Fiks Fare” më tej tregon rezultatet, tha Naço. Naço gjithashtu garantoi se nuk do të preken mandatet e gjykatësve apo pjesëtarëve të KLD-së, por do të rregullohet ligji në mënyrë që të promovohen të rinjtë, të cilët janë shumë më shumë të përditësuar dhe më të informuar se shumë gjykatës që janë sot pjesë e gjyqësorit. “Ne po punojmë me Komisionin e Venecias për të gjetur rrugën e duhur për të kryer reformën më të madhe në drejtësi. Nëse do jetë e nevojshme të ndërhyjmë në ligjet organike të Kushtetutës edhe këtë do e bëjmë, po gjithmonë pa cenuar në asnjë mënyrë të drejtat e qytetarëve”, siguroi Naço. Sipas kreut të drejtësisë, nëse KLD nuk do të gjejë mekanizmat për të vetë-rregulluar sistemin dhe për të promovuar të rinjtë atëherë do të jemi ne që do ndërhyjmë për t’i treguar rrugën. “Nuk do të preket numri i pjesëtarëve të KLD, nuk do të preket kohëzgjatja e mandatit, garantoi ai, por do ndërhyhet në ato nene që ta detyrojmë KLD në promovimin e gjyqtarëve të rinj. Ne duam që KLD të bashkërendojë punën me ne dhe të jetë edhe ajo iniciatore për të promovuar apo sanksionuar gjyqtarë, pasi të gjithë duhet të punojmë për një drejtësi europiane”, theksoi Naço.

Advertisement