Tiranë | Naço: Qeveria e angazhuar për të luftuar korrupsionin

Qeveria Shqiptare është zotuar se do të godasë në zemër korrupsionin, tha Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço gjatë seancës kuvendore. Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, gjatë prezantimit të ndryshimeve të propozuara nga dikasteri që ai drejton, theksoi se qeveria synon të godasë në zemër fenomenin e korrupsionit. Naço tha se ndryshimet konsistojnë në tre shtylla kryesore, hetimin dhe gjykimin e korrupsionit nga Krimet e Rënda, ndërgjegjësimin,dhe parandalimin e fenomeneve korruptive, nëpërmjet Dixhitalizimit, Reformimit dhe Modernizmit të sistemit të drejtësisë. Ministri i Drejtësisë theksoi se nëpërmjet kësaj pakete të bëhen ndryshime afatshkurtra, afatmesme dhe të kenë efekte në jetëgjatësi. ”Ajo që po tregojmë ne është një vullnet politik, i cili mungonte para 23 qershorit. Statistikat tregojnë qartë atë që keni bërë ju, që i shkakton shqiptarëve turp kur dalin jashtë vendit. Në vitin 2008 janë dërguar për procedim për korrupsion 85 çështje, në 2009 janë regjistruar 86 çështje, në 2010-ën janë regjistruar 112 çështje, në 2011 janë regjistruar 64 çështje dhe në 2012-ën janë regjistruar 83 çështje. Sa i takon të dënuarve për veprën e korrupsionit, sipas të dhënave të marra nga Kryeprokurori, rezulton se në 2008-ën janë 40 raste, në 2009 janë 36 raste, në 2010 rezultojnë 49 raste, në 2011 -72 raste dhe në 2012 janë 38 raste”, theksoi Naço. “Ne kemi vullnetin për të luftuar dhe rezultatet do e dëshmojnë këtë. Qëndrimi ynë ka qenë radikal, që të gjitha veprat korruptive të jenë pjesë e kodit penal, pasi kështu lufta do realizohej në bllok me të gjitha mjetet ligjore në dispozicion”, theksoi Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço. Ministri i Drejtësisë, gjatë prezantimit të këtyre ndryshimeve theksoi se në Shqipëri korrupsioni është në nivele të larta dhe duhet bashkëpunuar për të luftuar. Ministri i Drejtësisë bëri të ditur se në paketën e sjellur janë ndryshuar 4-ër nene nga ligji bazë, duke sjellur një luftë frontale ndaj korrupsionit. Kështu, sipas Naços ndryshimi kryesor konsiston se vepra penal e korrupsionit do të hetohet dhe gjykohet nga Krimet e Rënda duke unifikuar boshtin e luftës, por nuk janë parashikuar ashpërsime të masave të dënimit. Po ashtu me këtë paketë për të unifikuar forcën në luftën ndaj korrupsionit, është menduar që lufta ndaj fenomenit të korrupsionit të bashkërendohet me luftën ndaj krimit të organizuar duke sjellur një luftë frontale të institucioneve ligjzbatuese këtij fenomeni dhe për të arritur këtë sipas ministrit është menduar të bëhen ndryshimet përkatëse në ligjin për parandalimin e krimit të organizuar, apo siç e njohim ligji “anti-mafia”. Pra theksoi Naço, qëllimi kryesor është të godasim në zemër fenomenin e korrupsionit, çka do të thotë që pasuria do të sekuestrohet, ashtu si në rastet krimit të organizuar, dhe korrupsioni të kthehet nga një fenomen me risk të vogël dhe fitim të madh në një fenomen me risk të madh dhe fitimi të ultë.”

Advertisement