Tiranë | Naço në analizën e Gjykatës së Tiranës: Gjykim të shpejtë dhe transparent

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço ka kërkuar nga drejtuesit e Gjykatës së Tiranës gjykim sa më të shpejtë dhe sa më transparent të çështjeve. I pranishëm në Analizën Vjetore të Gjykatës së Tiranës, ministri Naço, theksoi se Gjykata e Tiranës është Gjykata më e madhe në vend dhe si e tillë duhet të jetë shembull i transparencës dhe shpejtësisë së gjykimit. Ministri i Drejtësisë theksoi se korrupsioni në drejtësi mbetet një problem serioz, prandaj forcimi pavarësisë së institucioneve të drejtësisë është thelbësor. Sa i takon reformës në Drejtësi, Naço tha se Ministria e Drejtësisë ka mbështetur dhe do të mbështes çdo nismë që shkon drejt pavarësisë së pushtetit gjyqësor, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut dhe standarteve ndërkombëtare të gjithë pranuara. “Për këtë Ministria e Drejtësisë, e ka ftuar zyrtarisht Komisionin e Venecias, si dhe misionin e EURALIUS IV, në drejtim të, Ndryshimit në Gjykatën e Lartë (garantimi i sistemit të karrierës dhe përzgjedhjen e tyre), Gjykatën Kushtetuese (me kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve), Këshillin e Lartë të Drejtësisë, (sistemi i vlereësimit dhe garantimi i karrierës), Prokurorinë e Përgjithshme, (Këshilli i Prokurorisë), si dhe Konferencën Gjyqësore, për kriteren në përzgjedhjen er anëtarëve të KLD-së.”, tha ai. “Gjithashtu, shtoi Naço, në kuadër të reformave ligjore, me akt normativ të Kryeministrit, është krijuar Komisioni Këshillimor i Reformës Ligjore, pranë Ministrisë së Drejtësisë si një bërthamë profesionale, në hartimin e programeve dhe strategjive afatmesme dhe afatgjata të reformës së drejtësisë e të legjislacionit, në përbërje të së cilit janë personalitete dhe figura të fushës akademike shqiptare.” Fatri Islamaj, Kreu i kësaj Gjykatës së Tiranës, në fjalën e tij kërkoi rritje të numrit të gjyqtarëve, të personelit, po ashtu dhe të sallave të gjyqit, ndërsa vlerësoi si pozitive punën e bërë për sigurinë e kësaj gjykate.

Advertisement