Koalicioni pas publikimit të emrave që rezultojnë të papërshtatshëm, u sugjeroi partive politike që të rishikojnë pjesëmarrjen e këtyre kandidatëve në garë, ose të paktën renditjen e tyre brenda listave, me qëllim që të kufizohet pjesëmarrja e tyre në Kuvendin e ardhshëm. Ndër 21 emrat e publikuar, 5 kandidatë janë nën siglën e Partisë Republikane, 4 në listat e PD-së dhe PDK, 3 në listat e PS-së dhe nga një në listat e LSI, G99, LDK, PDS, LZHK dhe PSV91. Nga një investigim i kryer për 165 emra të propozuar në listat e të gjitha partive politike për garën e 28 qershorit, 15% e tyre rezultojnë të papërshtatshëm për të qenë përfaqësues të qytetarëve në legjislaturën e ardhshme. Kriteret e vendosura për vlerësimin e 165 kandidatëve ishin: arsimimi, kontributi politik, kontributi publik, pastërtia ndaj precedentëve penalë, konflikti i interesit apo edhe ai i ushtrimit të dhunës verbale apo fizike mbi persona të tjerë. Nga Partia Republikane, janë pesë kandidatë të cilët sipas hulumtimit të koalicionit për një “Parlament të pastër” rezultojnë se nuk përmbushin standardet: Astrit Veliaj, Hajrulla Paturri, Mehmet Spahiu, Myrvete Pazaj, dhe Vasilika Çaushi. Në siglën e PD-së, koalicioni i ish-presidentit Moisiu ka përzgjedhur katër emra, të cilët janë Paulin Sterkaj, Indrit Fortuzi, Spiro Ksera dhe Lefter Maliqi. Nga PDK-ja janë Pashk Ujka, Frrok Gjini, Jak Ndokaj dhe Mark Kroqi. Në siglën e PS-së janë tre kandidatë të shigjetuar nga koalicioni për një “Parlament të pastër”, ku radhiten emrat e Asllan Dogjanit, Tom Doshit dhe Vangjel Tavos. Nga partitë e vogla janë emrat e kandidatëve, Artur Duçkallari, Pilo Kerri, Viron Bezhani, Nazmir Bilani dhe Gëzim Boçari.