Vëzhguesit thanë se zgjedhjet shënuan një progres të prekshëm për sa i përket futjes së procedurave të reja të regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve, si dhe miratimit të një kuadri të përmirësuar ligjor. Por vëzhguesit theksuan, gjithashtu, se këto përmirësime u eklipsuan nga politizimi i aspekteve teknike të procesit dhe shkeljet e vërejtura gjatë fushatës, të cilat e dobësuan besimin e publikut tek procesi zgjedhor. Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë dhe paqësore dhe atmosfera u përmirësua. Vëzhguesit e vlerësuan procesin e votimit pak më pozitiv sesa ai i zgjedhjeve të kaluara, por vërejtën shkelje procedurale të lidhura veçanërisht me shenjimin me bojë dhe votimin e përhapur familjar. Misioni tha se ishte shumë herët për të bërë një vlerësim përfundimtar, pasi numërimi i votave dhe nxjerrja e rezultateve nuk kanë përfunduar ende. “Vendi ka fituar pjekuri, ka përparuar, dhe shumë prej frikërave që kemi pasur vetëm disa muaj më parë, nuk janë konkretizuar. Unë, sigurisht, jam i gëzuar për progresin që pamë, por janë ende një numër i konsiderueshëm çështjesh që duhen trajtuar, veçanërisht klima e polarizuar politike”, tha Wolfgang Grossruck, Zëvendës Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe Kordinatori Special i Misionit të Vëzhguesve Afatshkurtër të OSBE-së. “Këto zgjedhje treguan se populli shqiptar ka gjithë potencialin për të ndërtuar një shoqëri demokratike si ato në vende të tjera evropiane. Tashmë, bie një përgjegjësi shumë e madhe mbi autoritetet dhe aktorët kryesorë politikë në vend, të cilët duhet të punojnë shumë për të krijuar besimin e qytetarëve tek procesi zgjedhor demokratik”, tha Corien Jonker, Kryetare e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. “Raporti ynë shfaq zhvillime pozitive, por edhe disa negative në kryerjen e këtyre zgjedhjeve. Është bërë progres që nga zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2005. Megjithatë, ende nevojiten përpjekje më të mëdha nga të gjitha forcat politike me qëllim përmbushjen e standardeve të kërkuara ndërkombëtare”, tha Bruce George, Kryetari i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s. “Kodi i ri Zgjedhor miratuar me konsensusin e të dyja partive kryesore politike prezantoi një sërë përmirësimesh dhe garancish të rëndësishme, veçanërisht për sa i përket regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve. Është për të ardhur keq, pasi niveli i lartë i mosbesimit mes palëve, përdorimi i aktiviteteve zyrtare për qëllime fushate dhe akuzat për presion mbi zgjedhësit nuk e rritën besimin e publikut në procesin zgjedhor”, tha Ambasadorja Audrey Glover, Kryetare e Misionit të Vëzhguesve Afatgjatë të Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSCE/ODIHR).