Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me shtatë vota pro, udhëzimin që rregullon procedurat për depozitimin, verifikimin dhe miratimin e listave shumemërore të partive politike, dokumentacionin e regjistrimit të kandidatit të propozuar nga zgjedhësit në KQZ, si dhe përcaktimin e afateve për publikimin e listave të kandidatëve, për zgjedhjet. Udhëzimi i propozuar nga administrata zgjedhore dhe i miratuar me disa ndryshime nga anëtarët e Komisionit, parashikon ndër të tjera që partitë politike që do të regjistrohen si subjekt zgjedhor të depozitojnë në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore, së bashku me dokumentacionin e përcaktuar, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve. Udhëzimi përcakton që lista shumemërore e kandidatëve të partive politike që do të depozitohet në KQZ duhet të ketë renditje sipas rendit shifror, duke filluar nga numri 1 dhe duhet nënshkruar nga kryetari i partisë sipas modelit të miratuar nga KQZ. Në çdo rast të paktën 30 % e kandidatëve të listave shumemërore dhe një në tre emrat e parë të listës duhet t’i përkasë secilës gjini. Partia politike pjesëtare ose jo e një koalicioni, e cila paraqet listën shumemërore deklaron vendet, sipas kuotës gjinore. Kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë tjetër zgjedhore, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish. Në pjesën e dytë të udhëzimit përcaktohet dokumentacioni për listat shumemërore të partive politike, të cilat zotërojnë të paktën një mandat në Kuvend. Po ashtu, sipas këtij udhëzimi KQZ bën verifikimin e dokumentacionit të kandidimit nga administrata zgjedhore. Në rast se kjo e fundit konstaton parregullsi në dokumentacion, jo më vonë se 45 ditë nga data e zgjedhjeve KQZ vendos për ta kthyer atë për plotësim. Subjekti zgjedhor duhet të ridepozitojë dokumentacionin e korrigjuar jo më vonë se 42 ditë nga data e zgjedhjeve. Pas mbarimit të afatit të ankimimeve në Kolegjin Zgjedhor, KQZ-ja publikon listën e plotë të kandidatëve në dy gazetat me tirazh më të madh në shkallë vendi, në mediat elektronike, si dhe në faqen zyrtare të saj në internet. Një kopje e listës për çdo zonë zgjedhore i dërgohet prefektit, Këshillit të Qarkut dhe KZAZ-ve. Debate në mbledhjen e sotme shkaktoi neni 10 i udhëzimit që parashikonte vendosjen e sanksioneve nga KQZ ndaj partive politike, në rastet kur listat shumemërore të kandidatëve të propozuara prej tyre nuk përmbushin një nga kushtet e përcaktuara në nenin 67 të kodit Zgjedhor. Por, pas një ndërprerje të mbledhjes nga kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi, anëtarët e Komisionit gjetën konsensus, duke e miratuar udhëzimin në tërësi me shtatë vota.