Qeveria i propozon Kuvendit që ky p/ligj të kalohet me procedurë të përshpejtuar. Drafti i paraqitur në komision nga ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, i njeh misionit EULEX në Kosovë, autoritetin për të zhvilluar hetime edhe në Shqipëri lidhur me akuzat e përfshira në raportin e relatorit të Këshillit të Europës, Dick Marty, për një trafik të mundshëm organesh të zhvilluar nga UÇK në fund të viteve ’90, edhe në territorin shqiptar. Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, e vlerësoi p/ligjin shumë të rëndësishëm, por ndërkohë kërkoi më shumë kohë për miratimin e tij. “Ligji është me shumë rëndësi, por nuk duhet të nxitohemi”, theksoi ai. Sipas tij, më parë është e nevojshme që të bëhen të gjitha ndërhyrjet e nevojshme, ndërkohë që paralelisht me këtë duhet të jepet edhe mendimi i misionit EURALIUS dhe Prokurorisë. Në reagim të këtij qëndrimi ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, tha se drafti i sjellë nga qeveria është marrë në dorë nga EULEX dhe është pjesë e MSA-së.