Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me konsensus katër modelet e vulave që do të përdoren në zgjedhjet e 23 qershorit nga: komisionet zonale të administrimit zgjedhor, komisionet e qendrës së votimit dhe kryetari i KQV-së, si dhe të vulës rezervë për KQV-të. Drejtoria e Shërbimeve dhe Logjistikës ka përgatitur modelet e vulave për komisionet e mësipërme mbështetur në kriteret e parashikuara në dy vendime të Këshillit të Ministrave, të viteve 1993 dhe 1995, të cilat përcaktojnë rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Modelet e vulave edhe për zgjedhjet e këtij viti janë të njëjta me ato të përdorura në zgjedhjet parardhëse, sa i takon formës dhe përmbajtjes. Gjithashtu, KQZ miratoi me 7 vota pro dhe vendimin për shpërndarjen e vulave rezervë, në rast dëmtimi ose dalje jashtë QV-së të vulës së kryetarit të komisionit të qendrës së votimit ose të vulës së komisionit të QV-së. Ky tip vule u prodhua për herë të parë në zgjedhjet vendore të 2011-s dhe sasia e tye është e barabartë me numrin e QV-ve. Mbajtja dhe administrimi i këtyre vulave do të bëhet nga inspektorët rajonalë të KQZ-së. Në rastet e humbjes apo dëmtimit të vulës transportimi i saj do të bëhet nga inspektorët rajonalë të Komisionit Qendror në QV-të ku mund të evidentohet humbja apo dëmtimi i saj. Në çdo rast, përdorimi i vulës rezervë do të bëhet me vendim të KQZ-së. Në zgjedhjet e 2009-s u përdorën dy vula rezervë, ndërsa në zgjedhjet e 2011-s lindi nevoja për të përdorur tre vula të tilla.