Opozita e kundërshtoi miratimin e këtij ligji, pjesë e të cilit është dhe kompania Albpetrol dhe kërkoi që procesi i privatizimit të shtyhej në kohë në mënyrë që të krijohej një panoramë e qartë për këtë sektor. Deputeti socialist, Eduard Shalsi u shpreh se “në sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës ka mungesë transparence”. I ftuar në komision, zv.ministri i METE-s, Eno Bozdo i’u përgjigj pyetjeve të opozitës. “Nga 2004-2011 janë investuar rreth 482 milionë dollarë, ndërsa prodhimi në vite ka ardhur duke u rritur”, tha ai. Në bazë të ndryshimeve të propozuara nga ministria e Ekonomisë dhe të miratuara nga Qeveria, në p/ligj parashikohet që kompania e cila do të privatizojë “Albpetrol” do të kryejë operacione hidrokarbure kërkimi, zhvillimi, prodhimi dhe tregtimi të naftës e gazit për 25 vjet. Ndryshimet në p/ligj parashikojnë rregullimin e statusit të kompanisë “Albpetrol” për privatizimin e saj dhe mbrojtjen e shoqërive të treta që kanë lidhur kontrata bashkëpunimi me të. Zv/ministri i Ekonomisë, Eno Bozdo, u shpreh se, privatizimi i kompanisë do të jetë i plotë, me të gjitha asetet që ajo ka. “Do të transferohen të drejtat e posaçme që ka si kompani publike me të gjitha të drejtat tek privati për pjesët kur ka pasur marrëveshje me të tjerë”, tha Bozdo. Ai sqaroi marrëdhëniet e reja që krijohen pas privatizimit të “Albpetrol”-it, e cila deri tani ka lidhur 7 Marrëveshje Hidrokarbure me të drejtë ndarjen e prodhimit me kompani të huaja. Bozdo sqaroi se, për to “nuk do të preken kontratat aktuale”, ndërsa shteti do të përfitojë të ardhura të konsiderueshme nga renta minerare, taksa të ndryshme, etj. Diskutimi për këtë p/ligj nisi javën e kaluar, vijoi të hënën dhe sot, pasi opozita kërkoi shtyrje dhe më shumë kohë për shqyrtimin e tij. Ofertuesit për privatizimin e kompanisë publike “Albpetrol” duhet të kenë të paktën 80 milionë euro kapital për të investuar, si një nga kriteret kryesorë të privatizimit, duhet të plotësojnë standarde të larta çertifikimi në përputhje me kërkesat e tregut europian, të kenë përvojë ndërkombëtare minimale 5 vjet në fushën e hidrokarbureve, sqaroi të hënën në komision, Drejtori Juridik në METE, Zamir Stefani. Sipas tij, punonjësit që do të shkarkohen nga puna pas privatizimit të “Albpetrol”, veç përfitimeve të parashikuara nga Kodi i Punës, do të përfitojnë një vit pagën bruto dhe do të kenë lehtësira të tjera për marrjen e asistencës. Miratimi në Kuvend i këtij p/ligji i hap rrugë privatizimit të “Albpetrol”- it, pasi në 15 dhjetor 2011 Kuvendi miratoi në seancë plenare privatizimin e tij me p/ligjin “Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë ‘Albpetrol, sh.a. Patos'”, që parashikon garë të hapur vetëm me investitorë strategjikë, që operojnë si kompani në sektorin hidrokarbur. Në bazë të p/ligjit parashikohet shitja 100% e aksioneve të kompanisë si alternativë e sugjeruar nga kompania konsulente “Patton & Bogss”, e përzgjedhur nga qeveria për vlerësimin e aseteve të “Albpetrol”-it dhe formulën e privatizimit. Struktura e privatizimit të shoqërisë “Albpetrol, sh.a. Patos” bazohet në Ligjin Nr. 8306 “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”. Në privatizim do të hyjnë asetet e kompanisë dhe nuk do të shiten puset e naftës që ka në pronësi. Vlera e aseteve të “Albpetrol” llogaritet rreth 420 milionë USD. P/ligji përcakton si formë të privatizimit të kompanisë transferimin e së drejtës së pronësisë të 100 % të aksioneve të kapitalit të shoqërisë tek investitorët strategjikë. “Albpetrol” ku punojnë 4050 punonjës ka në pronësi 1264 puse aktive, që prodhojnë rreth 135 mijë ton/vit naftë. Sot “Albpetrol” nuk është kompania e vetme që shfrytëzon puset e naftës në Shqipëri, pasi në këtë sektor operojnë me marrëveshje hidrokarbure disa kompani të tjera private, kanadezja “Bankers Petroleum” dhe kompania “Stream Oil”. Ministria e Ekonomisë me konsulenten “Patton Boggs” po punojnë për procedurat e privatizimit të “Albpetrol”-it mes të cilave, shpallja e ftesës për ofertat ndërkombëtare, garat, vlerësimi i ofertave, etj.