Me këtë kufizim të bërë nga ligji i ri biznesi do të paguajë vetëm 45 mijë lekë tatim fitimi plus 4500 lekë taksë gjelbërimi dhe tarifë pastrimi, që në total shkojnë 49500 lekë nga 65 mijë që ishin më parë. Për kategorinë e bizneseve me xhiro nga 2 deri në 3 milionë lekë, taksat vendore janë aktualisht 68 mijë lekë, që do të thotë se të gjitha tarifat dhe taksat e tjera që mund të vendosë pushteti vendor nuk mund ta kalojnë nivelin 6800 lekë, ndaj në total ky biznes do të paguajë 74 mijë e 800 lekë nga 88 mijë që do paguante sipas ligjit ekzistues. Aktualisht një biznes i vogël paguan taksën e gjelbërimit dhe tarifën e pastrimit, të cilat vendosen, me vendime të këshillëve bashkiakë. Një biznes i vogël me xhiro vjetore deri në 2 milionë lekë, parapaguan një taksë për efekt tatimfitimi prej 45 mijë lekësh. Vec kësaj takse për vitin 2009, ky biznes, nëse është një shitës me pakicë do të paguajë në bashki edhe 10 mijë lekë taksë gjelbërimi plus 10 mijë lekë tarifë pastrimi, që në total shkojnë rreth 65 mijë lekë. Edhe pse kjo nismë e re e qeverisë pritet të prekë në masë jo të vogël të ardhurat që bashkitë dhe komunat mbledhin nga taksat, Ministria e Financave ka deklaruar se nuk do të ketë asnjë kompensim.