Tiranë | Miratohet Kodi Civil

Kuvendi-i-Shqiperise

Kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi përpara votimit në Kuvend deklaroi se opozita do t’i përmbahet marrëveshjes së nënshkruar me mazhorancën duke theksuar se ajo do të japë votën pro ndryshimeve në Kodin Civil, pasi është një nga prioritetet që i është lënë detyrë shtëpie klasës politike shqiptare. Shefi i grupit socialist nënvizoi se mazhoranca ka shkelur procedurat, pasi sipas tij Kodi Civil nuk duhej të ishte përfshirë në rendin e ditës. “Ne kemi miratuar tri marrëveshje për ligjet me shumicë të cilësuar ku opozita është treguar korrekte, për reformën zgjedhore që është pika e parë e rekomandimeve të KE-së, reformën parlamentare dhe ligjet me 3/5”, tha Ruçi. Ai nënvizoi se për reformën parlamentare nuk po ecet, pasi mazhoranca nuk ka as merakun më të vogël për të. “Ne do ta japim prezencën tonë për ta kaluar Kodin Civil në seancë për të dhënë mesazhin që nuk është opozita që po pengon, por është mazhoranca që po zvarrit reformën parlamentare dhe reformën zgjedhore” u shpreh më herët Ruçi. Kreu i grupit kuvendor të PS-së i bëri thirrje mazhorancës që të bashkëpunojë me opozitën për të mos penguar dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Ai akuzoi mazhorancën se me mosvlerësimin e reformave të nevojshme nuk ia hedhin opozitës, por ndëshkon Shqipërinë. Ndryshimet e Kodit Civil parashikojnë mes të tjerash heqjen e dënimit me burg për gazetarët për shpifje, dhe nxjerrjen e kësaj dispozite nga Kodi Penal, si dhe rishikon dëmshpërblimet që u kërkohen gazetarëve për opinionet e tyre, por edhe për deklaratat e funksionarëve publikë.

Advertisement