Këshilli Bashkiak i Tiranës, ka lënë të mirëqenë vendimin e datës 3 shkurt për buxhetin e vitit 2009, duke e quajtur këtë votim të rregullt, edhe pse procesi i votimit në mbledhjen e kaluar të Këshillit është lënë përgjysmë. Ndryshe nga mbledhja e muajit shkurt LSI ka heshtur duke legjitimuar kështu vendimin, ndërsa demokratët kanë braktisur mbledhjen. Drafti financiar i Bashkisë së Tiranës për vitin 2009, këtë mbledhje nuk i është nënshtruar votimit, për arsye se Këshilli Bashkiak e ka konsideruar të vlefshëm votimin e datës 3 shkurt. Ndërkohë që Këshilli Bashkiak ka rrëzuar kërkesat e prefektit. Prefekti Rushdi Keçi, ka shprehur rezerva për mënyrën e votimit në Këshillin Bashkiak. Gjatë kësaj mbledhje, veç çështjes së buxhetit janë diskutuar edhe disa projektvendime të tjera, të cilat janë: projektvendim “Mbi miratimin e rregullores, “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit taksi në qytetin e Tiranës”, projektvendim për “Caktimin e çmimeve dhe tarifave në shërbimin taksi të qytetit të Tiranës”, projektvendim për “Një ndryshim në Vendimin e Këshillit Bashkiak nr.20, datë 26.04.2002 mbi “Financimin e kuotës së anëtarësimit të qytetit të Tiranës në Shoqatën Botërore të Kryeqyteteve Frankofone” si dhe dy vendime për emërtime të reja në strukturën e Bashkisë dhe të ndërmarrjeve në varësi. Këto vendime janë miratuar “pro” nga 29 anëtarët prezent në mbledhje, dhe do të hyjnë në fuqi menjëherë pas zbardhjes së vendimeve nga prefekti i Tiranës.