Miratimit të draftit i parapriu debati i fortë mes deputetëve të maxhorancës dhe atyre të opozitës, i shkaktuar nga kundërshtitë e kësaj të fundit. Deputeti socialist, Erjon Braçe tha se ligji i propozuar nga qeveria nuk do t’i shërbejë pronarëve, ndërsa sipas tij, çmimi dhe fondi i kompensimit janë probleme të mëdha që nuk paraqesin zgjidhje. Pas fjalës së tij, reagoi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila tha se ka qenë opozita ajo që nuk ka kompensuar asnjë ish-pronar gjatë kohës që ka qeverisur. “Deri në 2005-n zero kompensim financiar për ish-pronarët. Tokat në Tiranë, Rama ja ka dhënë Fidelit e Besos. Pse keni kaq urrejtje për ish-pronarët?” u shpreh Topalli. Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj theksoi se me projektligjin në fjalë gjejnë zgjidhje të gjitha çështjet për të kaluar në hallkën e fundit që me përmbylljen e privatizimit të përmbyllet njëherë e mirë edhe tranzicioni që lidhet me pronat.


