Në një situatë të tensionuar ku deputetët e opozitës lanë vendet e tyre dhe u stacionuan pranë podiumit ku kryeministri fliste për arritjet dhe sfidat e qeverisë, kuvendi miratoi dekretet e Presidentit për emërimin e Edmond Haxhinastos në postin e zëvendëskryeministrit, të Nasip Naços si ministër i Ekonomisë dhe Vangjel Tavos si nënkryetar i Parlamentit. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke shpërfillur sharjet e opozitës mbylli në fund të votimit, seancën e parë të këtij sesioni parlamentar.


